Profesori i ekonomisë tregon se ҫfarë gjendje i pret mësimdhënësit nëse nuk marrin pagat: Qeveria të tregohet zemërgjerë

Aktuale

Profesori i ekonomisë tregon se ҫfarë gjendje i pret mësimdhënësit nëse nuk marrin pagat: Qeveria të tregohet zemërgjerë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 5 tetor 2022 Në ora: 19:16
Ilustrim

Mësimdhënësit filluan mësimin këtë javë, duke ndërprerë grevën, mirëpo ende nuk kanë marrë pagat. Ende është në diskutim nëse do të marrin pagat e tyre.

Qeveria kishte paralajmëruar kohë më parë që nuk do të marrin pagat nëse nuk fillojnë mësimin me kohë. Megjithatë mbetet të shihet nëse qeveria do të merr një tjetër vendim.

Lidhur me këtë ҫështje ka folur për ‘Bota sot’, profesori universitar i ekonomisë, Musa Limani. Ai thotë se ҫështja e mospagesës së grevistëve, është më tepër çështje juridike dhe ligjore, mirëpo duke e pasur parasysh situatën e rëndë ekonomike, mos marrja e pagave do të krijoj edhe një situatë të rëndë materiale.

Image
Prof.dr. Musa Limani

“Çështja e pagesës  apo mospagesës së pagave të grevistëve teë arsimit, është thjeshtë çështje juridike dhe ligjore, për çka unë nuk jam kompetent të jap vlerësim profesional. Mirëpo, unë mendoj se, duke pasur parasysh situatën e rëndë ekonomike dhe sociale, mos pagesa e pagave të punëtorëve të arsimit, do t’i vë ata në një situatë të rëndë materiale, sepse pjesa dërmuese e tyre, për mos me thënë të gjithë, burim kryesor financiar e kanë vetëm pagën mujore”, thekson profesor Limani.

Ai thotë më tutje se, mosarkëtimi i një page mujore, ata do t’i përballë me pamundësinë e mbulimit të shpenzimeve ekzistenciale, pra "shportën" jetësore, që përkeqëson ekzistencën dhe shëndetin e familjeve të tyre,  pamundësinë për mbulimin e shpenzimeve komunale, kthimin e kësteve të kredive konsumuese e të tjera, shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tyre, e kështu me radhë.

“Në këtë mënyrë, vëhen para kollapsit financiar mbi 23 mijë familje, apo mbi 120 mijë qytetarë (duke marrë 6 anëtarë për familje). Me këtë rast, punëtorët e arsimit, do të jenë të shtënguar të marrin kredi konsumuese, të cilat bankat komerciale i akordojnë me normë të interesit 6,0%, apo të marin para hua, që edhe më tepër do të keqësojë gjendjen materiale, e cila edhe ashtu është alarmante”, vlerëson ai.

Andaj, sipas profesorit, duke pasur parasysh atë që u cek më sipër, Qeveria duhet të gjejë formën dhe mënyrën për të realizuar pagesën e pagave për muajin shtator të punëtorëve të arsimit.

“Në të kundërtën, mund të paraqitet problem i ndërlikuar politikë e social.  Mos tjetër, Qeveria duhet të ketë mirëkuptim, së pari, për hirë të familjeve të punëtorëve të arsimit, në një anë, dhe, së dyti, për të stabilizuar situatën politike të krijuar me rastin e grevës të SBASHK- ut.  Mendoj, Qeveria duhet të jetë zemër gjerë dhe të zgjidhë këtë problem në mënyrë më optimale të mundshme”, thekson profesor Limani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat