Prindërit refuzojnë që të shtunat të jenë ditë mësimi

Aktuale

Prindërit refuzojnë që të shtunat të jenë ditë mësimi

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 19:16
Ilustrim

Prindërit po kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit për zëvendësimin e orëve mësimore gjatë të shtunave.

Në lidhje me këtë, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi thotë se dita e shtune gjithmonë është menduar të shërbej për të pushuar fëmijët, e për të zhvilluar aktivitete jashtëshkollore.

Sipas tij, prindërit kanë refuzuar që e shtuna të jetë ditë mësimi.

“E shtuna është menduar gjithmonë të shërbejë për të pushuar fëmijët, për të zhvilluar aktivitete jashtëshkollore në kuptimin sportiv, art e më radhë. Dhjetëra mijëra fëmijë në gjithë Kosovën i ndjekin gjatë fundjavave. Duke pasur parasysh efektin negativ që do të kishte zhvillimi i mësimit të shtunave është e natyrshme që shumica e prindërve na kanë shprehur pakënaqësinë dhe kanë refuzuar që të shtunat të jenë ditë mësimi”, deklaroi ai në “Ditari”.

Demi thotë se kompensimi i orëve të humbura të mësimit me kalendarin e ri shkollor nuk është zgjidhja më e mirë.

“Ne po e shohim që nuk ka kujdes në respektimin e të drejtave ligjore të fëmijëve tanë. Ne po mbrojmë të drejtat e fëmijëve. Andaj kompensimi me atë kalendar shkollor nuk është zgjidhja më e mirë. Shumica e shkollave në numër nuk i kanë mbingarkesë me nxënësit, kanë mundësi të kryejnë orarin vetëm me një ndërrim. Ata mund ta kishin bërë orarin e kompensimit të grevës brenda ditëve të punës, pa pasur nevojë të shkohet në fundjava” theksoi ai.

MASHT-i ka vendosur që të ndryshohet kalendari i vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022 si pasojë e grevës së mësimdhënësve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat