FSK garanton paqë e qetësi për qytetarët e Kosovës

Aktuale

FSK garanton paqë e qetësi për qytetarët e Kosovës

Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 06:51
FSK

Forca e Sigurisë së Kosovës me një njoftim u është drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës duke i siguruar se “ushtria e Kosovës është me ju”.

“Apelojmë të gjithë qytetarët e vendit e specifikisht qytetarët tanë të komunitetit serb, që të jenë vigjilent, të mos manipulohen dhe të mos bien pre e dezinformatave që janë pjesë e skenarëve të orkestruar pandërprerë nga Serbia dhe mekanizmat e saj të njohura e të praktikuara edhe në të kaluarën”, thuhet në komunikatën e FSK-së për media.

Nga FSK gjithashtu është theksuar se “ngritja e kapaciteteve ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës, ashtu dhe vendimi i pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Kosovës janë veprime me tentim destabilizimin e vendit”.

Prandaj, “dënojmë një qasje të tillë që qartazi është në kundërshtim me frymën e dialogut e po ashtu me realitetin e ri të Kosovës”.

Në komunikatë thuhet edhe se “Ministria e Mbrojtjes ashtu si dhe organet e tjera të rendit, mbetet e përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit si dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie”.

“I vetmi kërcënim për komunitetin serb janë individët dhe grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, veprimtaria e të cilëve duhet ndalur sa më parë, dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, si dhe me misionin e KFOR-it”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat