Veliu: Situata është mjaft e tensionuar, veprimet e Kurtit s’janë në interes të vendit

Aktuale

Veliu: Situata është mjaft e tensionuar, veprimet e Kurtit s’janë në interes të vendit

Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 12:27
Agim Veliu

Lista Serbe të shtunën dha dorëheqje nga të gjitha institucionet, ndërsa komandantët serbë të Policisë së Kosovës në rajonin e veriut të vendit i zhveshën uniformat e tyre, para zyrtarëve të Listës Serbe në Zveçan.

E, dorëheqje dhanë edhe kryetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe dhe udhëheqësit në sistemin gjyqësor.

Pas dorëheqjeve dje në Mitrovicë të Veriut u mblodhën qytetarë serbë, të cilët kërkuan tërheqjen e vendimit për targat dhe krijimin e Asociacionit.

Lidhur me situatën, kryeministri Albin Kurti tha se Serbia do të dështojë ta destabilizojë Kosovën, derisa tha se është në kontakt të vazhdueshëm me ndërkombëtarët.

Për veprimet e Kurtit karshi situatës në veri, ka reaguar ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Ai tha se veprimet e kryeministrit Kurti janë të pa matura dhe jo në interes të vendit.

Sipas tij, për çdo situatë të vendit do të duhej të koordinohet me SHBA-të.

“Veprimet e Kurti nuk janë as të duhurat e as të mençura. Janë të pakoordinuara edhe me faktorin e brendshëm edhe ndërkombëtarë veprime që Kosovën e kanë kthyer shumë mbrapa dhe të pa matura dhe jo në interes të vendit. Do të duhej të veprohej në koordinim me SHBA-në gjithmonë”, tha Veliu.

Ish-ministri tha se situata është mjaftë e tensionuar në veri.

Veliu thotë se kundërveprimet e palës serbe e dëmtojnë Kosovën.

“Situata është mjaftë e tensionuar. Kundërveprimet e palës serbe e dëmtojnë Kosovën dhe procesin dhe nuk kanë qenë në interes të vendit të zhvillohen në këtë mënyrë ngjarjet, do të duhet një koordinim më i mirë”, u shpreh Veliu.

Ndryshe, sot Lista Serbe i ka dorëzuar mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Ditën e djeshme SHBA-të kanë kërkuar nga Kosova që të themelohet asociacionin, dhe të shtyhet edhe vendimi për targat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat