Kosova dhe Serbia dështuan të arrijnë marrëveshje mbi targat – shtohen thirrjet për shmangie të tensioneve

Aktuale

Kosova dhe Serbia dështuan të arrijnë marrëveshje mbi targat – shtohen thirrjet për shmangie të tensioneve

Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 06:18
Borrell, Kurti dhe Vuçiq

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave ndërsa tërhoqi vërejtjen për përgjegjësinë që u takon të dyja palëve për zhvillimet në terren.

Për rreth tetë orë me radhë zoti Borrell takoi ndarazi dhe së bashku kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, në një përpjekje për të ulur tensionet në veriun e Kosovës dhe shmangien e tyre në prag të fillimit të fazës së dytë të zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Nga e marta sipas vendimit pritet të fillojë gjobitja e atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave. Vendimi kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veriun e Kosovës të cilët kanë paralajmëruar rezistencë ndaj zbatimit të tij.

"Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne paraqitëm një propozim që presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Albin Kurti jo”, tha zoti Borrell.

Ai tha se në mungesë të marrëveshjes do t’u bëjë thirrje solemne të dyja palëve.

“Së pari pres që Kosova të pezullojë menjëherë veprimet e mëtejshme për ri regjistrimin e makinave në veriun e Kosovës... Serbia të ndërpresë lëshimin e targave të makinave me shenjat e qyteteve të Kosovës përfshirë ato me shenjën KM”, tha zoti Borrell, duke theksuar se do të informojë vendet e Bashkimit Evropian për veprimet e palëve dhe mungesën e respektit ndaj detyrimeve ligjore ndërkombëtare.

Dhe më duhet të them se kjo vlen posaçërisht për Kosovën”, tha ai duke nënvizuar se ua ka bërë të qartë të dy udhëheqësve që nëse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi i tyre përfundimtar, atëherë duhet të sillen në pajtim me këtë synim.

Presidenti serb Vuçiç, tha se pala serbe është pajtuar më kërkesën e zotit Borrell.

Na presin net pa gjumë dhe shumë ditë të vështira, por ne do ta dëgjojmë dhe do t'i përmbahemi këshillave dhe kërkesave të Përfaqësuesit të Lartë. Ai u kërkoi atyre që të mos zbatojnë gjoba dhe ne të mos lëshojmë targa të reja KM, që ne e kemi pranuar”, tha ai.

Presidenti serb tha pas kthimit në Beograd se do të takohet me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, dhe se kërkesa e tij do të jetë “ruajtja e paqes”.

Ndërsa kryeministri Kurti u tha mediave në Bruksel se “propozimi ishte i papranueshëm pa u shoqëruar me angazhimin për marrëveshjen përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve”.

Jam gati të vij këtu dhe të mbaj takime gjithmonë me të njëjtën strukturë dhe rend, për të arritur një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe çështje të tjera si ajo me targat e makinave. Por, njëra nuk mund të funksionojë pa tjetrën. Nuk mund të jemi të papërgjegjshëm dhe të mos trajtojmë çështjet aktuale, por nuk mund të kthehemi në udhëheqës shtetërorë që merren vetëm me targa makinash dhe nuk flasin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, tha kryeministri Kurti.

AI tha se në një propozim të hedhur më herët nga zoti Borrell dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ishte hedhur afati që deri në muajin mars të vitit 2023 të arrihet një marrëveshje. Por, sipas tij, zoti Borrell "hoqi dorë nga ky afat" dhe nga "propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".

Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha në deklaratë me shkrim dërguar mediave se nuk janë të vërteta pretendimet që BE-ja ka hequr dorë nga propozimi i saj për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

BE-ja vazhdon të qëndrojë plotësisht prapa këtij propozimi dhe inkurajon palët që të bien dakord me tekstin sapo të jenë gati t'i dëshmojnë komunitetit ndërkombëtar se janë në gjendje të ecin drejt zgjidhjeve evropiane. Tani është kryesore që të dyja palët të shmangin përshkallëzimin, i cili kërkon veprim të menjëhershëm nga të dyja palët - Kosova të mos fillojë të shqiptojë gjoba dhe Serbia të mos lëshojë targa të reja KM. Nuk mund të ketë negociata për normalizimin e marrëdhënieve me një kërcënim të pranishëm për dhunë”, tha zoti Stano.

Osmani: Borrelli ishte i njëanshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kritikoi shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrel për njëanshmëri pas takimit të së hënës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që nuk siguroi ndonjë marrëveshje.

Në një postim në rrjetete sociale presidentja Osmani shkroi se “rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, shkroi presidentja Osmani duke listuar marrëveshjet që sipas saj, nuk janë zbatuar nga Serbia.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se ka biseduar me zotin Borrell pas takimit të sotëm Kosovë –Serbi. “Jemi të zhgënjyer që nuk ishte e mundur të zgjidhej mosmarrëveshja pë targat. Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget. KFOR-i mbetet syçelë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

KFOR-i kërkon shmangien e tensioneve

Komandanti i forcave paqeruajtëse të drejtuara nga NATO-ja, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, është takuar të hënën në mbrëmje me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të diskutuar situatën pas dështimit të bisedimeve ne Bruksel.

Në një njoftim të KFOR-it, thuhet se komandanti Ristuccia “u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës. Ai u bëri thirrje palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të marrin pjesë aktive në ruajtjen e sigurisë. Ai theksoi se është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri, pas tensioneve në gusht”.

Komandanti Ristuccia, thuhet në njoftim, është në kontakt të ngushtë me mekanizmat vendase e ndërkombëtare të Sigurisë, përfshirë edhe shefin e ushtrisë serbe dhe se KFOR-i mbetet syçelë dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij për një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

Qëllimi i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja është paqja dhe siguria në Kosovë. KFOR-i luan një rol jetik në ofrimin e sigurisë që bën të mundur dialogun. Komandanti i KFOR-it u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet apo retorika e njëanshme dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur shpresën për një zgjidhje praktike të çështjes së targave për të shmangur tensionet në veri ku nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb e as punonjës të institucioneve tjera, pas vendimit të përfaqësuesve serbë të mbështetur nga Beogradi për të braktisur institucionet e Kosovës në veri.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar situatën në veriun e Kosovës më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Haradinaj: Të pezullohet vendimi për targat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i bëri thirrje kryeministrit Kurti “ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë me Serbinë”.

Në një postim në rrjetet sociale të hënën në mbrëmje ai i bëri thirrje kryetarit të parlamentit që urgjentisht të thërras seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK-së, për tejkalimin e situatës së krijuar.

“Po ashtu i kërkoj Presidentes të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar. I ftoj të gjithë qytetarët serb që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd”, shkroi zoti Haradinaj duke nënvizuar se “është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve”!

Tensionet ne zonë që pasuan vendimin e qeverisë për targat i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, u shtuan në një periudhë diskutimesh për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se të dyja palët nuk e kanë refuzuar propozimin i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë thonë se propozimi është një bazë e vlefshme për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërsa presidenti serb tha se Serbia as nuk e ka pranuar as nuk e ka kundërshtuar propozimin por është e gatshme për bisedime rreth tij./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat