​IPK jep 5 rekomandime për Policinë e Kosovës​

Aktuale

​IPK jep 5 rekomandime për Policinë e Kosovës​

Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 14:31
​IPK

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar raportin e inspektimit të rregullt në fushën “Menaxhimi i thirrjeve dhe reagimit policor”, ku ka dhënë pesë rekomandime për Policinë e Kosovës që kanë të bëjnë me nevojën e nxjerrjes së një Udhëzuesi mbi procedurën dhe veprimet policore në trajtimin e thirrjeve dhe reagimin në vendngjarje, ushtrimin e kontrolleve ndaj zyrtarëve në bazat e komunikimit për ngritjen e cilësisë së logut operacional, standardizimin e metodologjisë së regjistrimit në log, analizimin e faktorëve ndikues që sfidojnë reagimin policor, si dhe monitorimin dhe analizimin periodik të kohës së reagimit.

Sipas një komunikate të IPK-së, bazuar në planin vjetor të inspektimeve të rregullta për vitin 2022, nga IPK është iniciuar inspektimi për të vlerësuar menaxhimin e thirrjeve dhe reagimit policor.

“Inspektimi është përqendruar në të gjitha stacionet policore në kuadër të divizionit të sigurisë publike të departamentit për operacione. Inicimi i inspektimit është ndikuar nga nevoja që Policia e Kosovës të sigurohet se stacionet janë në gjendje të përgjigjen në mënyrë efektive dhe të shpejtë në thirrjet e qytetarëve lidhur me shqetësimet e tyre. Inspektimi ka paraqitur një mundësi për të vlerësuar kapacitetet e stacioneve policore dhe gatishmërinë e tyre për të reaguar në ngritjen e sigurisë publike dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt. Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për zyrtarët policor në bazat e komunikimit, njësitë policore reaguese, shërbimet mbështetëse - logjistike dhe nivelin mbikëqyrës – vendimmarrës”, thuhet në komunikatë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat