Ky është çifti që mashtroi 242 bashkatdhetarë me bileta

Aktuale

Ky është çifti që mashtroi 242 bashkatdhetarë me bileta

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 15:11
Nestret Hoxha dhe bashkëshortja e tij Stefanie Zabel

Nestret Hoxha dhe bashkëshortja e tij Stefanie Zabel kanë mashtruar 242 mërgimtarë me bileta të udhëtimit.

Kundër çiftit sot është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, shkruan Insajderi.  

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve M.K., A.B., S.Z. dhe N.H., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi””thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nga viti 2020, në vazhdimësi e deri më 4 gusht 2022, përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet sh.p.k”, janë marrë vesh që vetes t’i sjellin përfitime pasuror në mënyrë të kundërligjshme.

“Përmes reklamimit në websajtin e tyre dhe sms-ave u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, e as të atyre të Gjermanisë dhe të Zvicrës, kurse të pandehurit S.Z dhe N.H., përmes një marrëveshjeje (kontratë interne, e pa noterizuar) të nënshkruar me të pandehurin M.K., kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 Euro për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të agjencisë”, thuhet në aktakuzë.

“Pastaj mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre biletave, prej qindra mijëra eurosh, i kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të agjencisë në Prishtinë dhe në llogari tjera të pandehurit M.K., kurse shumën prej 26,000.02 CHF i kanë transferuar në llogarinë bankare e të pandehurit N.H., çka me këtë të dëmtuarve, u kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 165,246.00 €, si dhe 56,981.00 CHF”, vazhdon njoftimi.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë, dhe po ashtu ka propozuar të konfiskohet dobia pasurore e fituar nga veprat penale, dhe atë shuma prej 35,000.00 CHF,  4,026.00 €, një veturë e tipit “Shkoda” e vitit 2017, shuma prej 165,246.00 € dhe 56,981.00 CHF.

Ndryshe, dyshja Hoxha-Zabel, sipas të dhënave në profilin e tyre jetojnë në Zvicër, dhe shihet se bëjnë jetë luski, pasi shumë shpesh kanë postuar nga pushimet e tyre të bëra në vende të ndryshme të botës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat