Sulmohet me armë Policia e Kosovës në komunën e Zveçanit

Aktuale

Sulmohet me armë Policia e Kosovës në komunën e Zveçanit

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 01:02
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës njoftoi se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veriun e Kosovës.

Në një njoftim të policisë thuhet se sulmi ka ndodhur reth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Policia njoftoi se njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është dërguar transportuar për ti ofruar ndihmë mjekësore.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.

Më poshtë njoftimi i policisë:

Sot me datë 08.12.2022, rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit, Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.

Si pasoj e incidentit, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.

Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore.

Në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

Përfaqësuesit e saj, që kanë udhëhequr të katër komunat në veri, kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, si nga niveli lokal, ashtu edhe nga ai qendror.

Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova t'i shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat