LDK-ja i kërkon Qeverisë të tërhiqet për mjetet e pashpenzuara të komunave
Grupi Parlamentar i LDK’së ka kërkuar që të fshihet fjalia e paragrafit 6 të Nenit 9 të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, që parasheh që mjetet vetanake të komunave që kanë mbetur pa shpenzuar, të barten në Fondin e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi ka thënë se kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.
“Në bazë të rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i LDK’së ka propozuar amandamentim në tekstin e Ligjit. Në Nenin 9, paragrafi 6, propozojmë që të hiqet fjalia “të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiscal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit Kosovar në bilancin banker”. Kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, Ne e konsiderojmë se nëse mbetet në mënyrën e tillë, është dëmtim i jashtëzakonshëm i buxhetit lokal dhe është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka paralajmëruar se nëse nuk kalon ky amandament, LDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse nuk kalon ky amandament, ky projektligj do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ne si Grup Parlamentar do ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Gashi.
PDK paralajmëron: Buxheti i shtetit do të atakohet në Kushtetuese
PDK paralajmëron: Buxheti i shtetit do të atakohet në KushtetueseDeputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka deklaruar se shumica parlamentare dhe qeveria po rrezikon funksionimin e shumë organizatave buxhetore të cilat janë të varura nga buxheti i Kosovës, pasi nuk kanë marrë për bazë asnjë kërkesë të tyre.
Lushtaku duke komentuar projektbuxhetin për vitin 2023, tha se asnjë nga kërkesat e organizatave buxhetore, komunave dhe deputetëve dhe rrezikohet funksionimi i tyre pasi ka rritje të vëllimit të fundit dhe shihet qartë se Qeveria nuk është e interesuar t’i mbështes komunat dhe as institucionet e pavarura.
Lushtaku: Do të jetë buxheti i parë i Kosovës që do të atakohet nga Gjykata Kushtetuese
“Kemi shumë institucione të pavarura që janë të varura nga buxheti i Kosovës dhe nga kërkesat që kanë paraqitur në çdo komision dhe me një arrogancë të shumicës, për arsye se tashmë dihet se i kanë votat në çdo komision, edhe në komisionin për financa nuk i kanë kaluar këto kërkesa, nga të gjitha organizatat buxhetor.
Më lejoni t’i theksoj disa prej tyre siç është Këshilli Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës, komunat të cilat varen edhe nga buxheti i Kosovës dhe shumë deputetë të cilët i kanë paraqitur kërkesat e tyre dhe nuk janë marrë parasysh nga arroganca....do të jetë buxheti i parë i Republikës së Kosovës që do të atakohet dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese për shkak të një amendamenti të cilin e ka propozuar ministri i Financave por nga ai shihet qartë se buxhetin vetanak të komunave të Kosovës t’ia marrë në buxhet të Kosovës dhe ta drejtoj në komunat e tyre“, tha ai.
Murati projektbuxheti 2023 i plotëson nevojat e qeverisë dhe të qytetarëve
Gjatë shqyrtimit në lexim të dytë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023 në kuvend, ministri i Financave, Hekuran Murati duke kërkuar nga deputetët që ta mbështesin këtë projektligj, ka thënë se buxheti 2023 është më i larti ndonjë herë në vend, mbi 3.2 miliardë.
Ministri Murati tha se në projektbuxheti 2023 i plotëson nevojat dhe prioritetet e qeverisë dhe nevojat e qytetarëve.
Murati: Projektbuxheti për 2023 më I larti ndonjë herë
“Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2023, është një buxhet më I larti ndonjë herë, e kap vlerën mbi 3.2 miliardë euro ose 3 miliardë e 212 milionë euro, por nëse merren parasysh edhe amendamentet që kanë kaluar në komision, atëherë tejkalon shifrën prej 3 miliardë e 225 milionë euro. Grupi punues ka shqyrtuar amendamentet, kanë qenë kryesisht disa ndryshime që janë bërë për të akomoduar projektet që janë me marrëveshje financiare ndërkombëtare…
Ka pasur edhe disa korrigjime të tjera të cilat bashkë me anëtarët e komisionit I kemi trajtuar, ndërsa një pjesë e madhe e amendamenteve nuk janë miratuar.
Në tërësi është një buxhet I hartuar, I cili plotëson nevojat dhe prioritetet e qeverisë dhe nevojat e qytetarëve. Ju ftoj edhe një herë që bashkë me amendamentet që ka miratuar komisioni, ta mbështesni këtë projektligj”, tha Murati.
Ndërsa, Kryetari komisionit për Buxhet, Punë dhe Tranfere, Armend Muja tha se komisioni ka shqyrtuar dhe ka vendosur që projektbuxheti të miratohet me amendamente.
Muja: Komisioni ka miratuar projektbuxhetin me amendamente
“Komisioni për Buxhet ka shqyrtuar projektligjin për buxhetin 2023 dhe ka vendor që ky projektligj të miratohet me amendamente e propozuara nga Komisioni funksional të miratohet”, tha ai.
-------------------------
Kuvendi i Kosovës sot do t’i mbajë tri seanca, në mesin e tyre ka seancë plenare dhe një seancë e jashtëzakonshme.
Seanca e parë do të jetë në ora 09:30 në të cilën presidentja Vjosa Osmani do të mbajë adresimin vjetor.
Ndërsa, seanca plenare është e dyta në radhë që do të fillojë nga ora 10:00 dhe do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023.
Seanca e jashtëzakonshme do të jetë nga ora 13:00 ku do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis.
Rendi i plotë i ditës së Kuvendit:
Seanca plenare
Rendi i ditës:
Adresimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Vendi: Kuvendi Kosovës; Koha: 09:30.
Seanca plenare
Rendi i ditës:
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.
Vendi: Kuvendi Kosovës; Koha: 10:00.
Vazhdimi i Seancës plenare
Vendi: Kuvendi Kosovës; Koha: 12:00.
Seancë e jashtëzakonshme
Rendi i ditës:
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-181 për vlerësimin e ndikimit në mjedis.