Vetëvendosja e konsideron dështim qeverisjen e Totajt në Prizren

Aktuale

Vetëvendosja e konsideron dështim qeverisjen e Totajt në Prizren

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 00:20
Shaqir Totaj

Opozitarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në përmbyllje të vitit 2022 kanë shprehur pakënaqësinë me punët e kryera nga qeveria komunale e Prizrenit. Sipas tyre, premtimet e dhëna nga kryetari Totaj nuk janë jetësuar e as nuk kanë filluar të zbatohen. Por Totaj ka theksuar se një e treta e premtimeve ka filluar të jetësohet.

Drejtuesit e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kanë akuzuar qeverinë komunale të Prizrenit për keqmenaxhim dhe keqqeverisje gjatë vitit 2022.

Sipas tyre, viti që po e lëmë pas është shoqëruar me shkelje të ndryshme, përfshirë kërcënimet ndaj stafit civil, kurdisje të konkurseve, praktika nepotiste e dështim në realizimin e buxhetit.

“Gjatë këtij viti Prizreni ka pasur një qeverisje totalisht në mospërputhje në raport me premtimet e dhëna. Ka pasur keqpërdorim të parasë publike dhe mungesë të menaxhimit efikas të institucioneve komunale”, ka thënë Artan Abrashi i VV-së.

Asamblistja e kësaj partie, Dafina Alishani, duke përkujtuar se Totaj ka paraqitur një program me premtime të shumta, të cilat tha se nuk janë realizuar as në 100-ditëshin e parë e as në vitin e parë të qeverisjes.

“I keni këtu të gjitha të nënvizuara që nuk kanë filluar asnjëra. Pra ky kryetar nuk ka aftësi t’i bëj’ jo për 100 ditë, por për 1 vit të tërë, nuk ka filluar dhe nuk i mban premtimet e tij që i ka pasur karshi qytetarëve të Prizrenit. Prizreni meriton më shumë, qytetarët meritojnë më shumë, andaj e ftojmë të reflektojë kryetari dhe t’i bëjë përgjegjësitë që i ka dhe që i ka premtuar”, ka thënë ajo.

Por kryetari i Prizrenit gjatë një takimi që ka pasur me qytetarët, vitin 2022 e ka cilësuar si të suksesshëm.

“Sipas Institutit GAP janë diku 72 premtime që i ka dhënë në fushatë. Nga ato, po ashtu, sipas Institutit GAP, 23 veç janë plotësuar ose janë pjesërisht të plotësuar”, ka thënë Totaj.

Totaj gjithashtu ka pranuar se disa çështje kanë mbetur pa u kryer gjatë vitit 2022, me arsyetimin se vëllimi i punëve që duhen realizuar është më i madh sesa kapacitetet e stafit të komunës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat