Tri gra u vranë gjatë vitit 2022 në Kosovë

Aktuale

Tri gra u vranë gjatë vitit 2022 në Kosovë

Më: 5 janar 2023 Në ora: 20:23
Pamje nga ceremonia e varrimit

Kosova u trondit nga tri vrasje të grave gjatë vitit të kaluar. Në të tri rastet konsiderohet se autoritetet nuk arritën të parandalojnë një krim të tillë.

3 vrasje të grave u regjistruan në 12 muajt e vitit 2022.

Lirije Qerimaj, Sadije Godeni e Hamide Magashit, janë gratë jeta e të cilave u privua nga bashkëshortët.

Në të tri rastet po konsiderohet se autoritetet nuk arritën të parandalojnë një krim të tillë.

Absurde po vlerësohen edhe veprimet që u morën.

Hetimi i vrasjes së Lirije Qerimaj nga Llausha e Skenderajt tregon për shkelje të dispozitave ligjore të Kosovës. Avokati i Popullit, Naim Qelaj deklaron se veprimet e institucioneve në këtë rast janë absurde.

Qelaj: Veprimet në rastin në Llaushë mund të konsiderohen të llojit absurd

“E kemi rastin në Llaushë, ku konsideroj që kemi edhe veprime që mund të konsiderohen të llojit absurd të autoriteteve, ku mbrojtjen e viktimës ja lejnë në dorë familjes. Edhe kjo është në kundërshtim të dispozitave ligjore të Kosovës, por edhe me Konventën e Stambollit. Përgjegjësia për t’i ofruar mbrojtje viktimës, në rastet kur raportohet dhuna në familje, bie mbi autoritetet publike, i bie shtetit dhe jo familjes. Shteti është dashur të vlerësojë rrezikun dhe të shoh dhe të marr masa që të parandalojë një veprim të tillë”, tha ai.

Kurse Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli nënvizon dështimet në rastin e Hamide Magashit, 35-vjeçares, e cila u vra në oborrin e Gjinekologjisë.

“Secili rast ka qenë në dijeni të shtetit, ka qenë më e dhimbshmja. Edhe ka qenë njëfarë pasigurie thjesht edhe për neve që merremi me të drejtat e grave, jemi ndjerë se cila është puna jonë tash t’ju themi grave raporto edhe më pastaj të dështojë. Për shembull, gruaja e fundit Hamidja ka raportuar dhunën edhe ajo e ka kryer si viktimë punën e saj edhe më pastaj ka qenë një rast tepër shokues sepse kemi parë që në duart e shtetit njëfarë mënyrë shteti e ka mbështet”, tha ajo.

Dështimin e institucioneve përkatëse në trajtimin e këtyre rasteve po e pranon Ministria e Drejtësisë.

“Sipas informacioneve të deritanishme që i kemi, dështimi kryesor është tek prokuroria. Ne kemi kërkuar inspektim nga Inspektorati Policor për punën e zyrtarëve policorë, kemi kërkuar po ashtu inspektim për funksionimin e Qendrave për Punë Sociale dhe po ashtu nga Inspektorati Shëndetësor në raport me veprimet që i kanë ndërmarrë gjatë asaj kohe. Megjithatë, ne tashmë kemi tre raportet por që masa janë ndërmarrë deri më tani vetëm sa i përket zyrtarëve policorë që dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Në shumë raste, gjatë vitit të kaluar janë organizuar protesta ku janë fajësuar policia, gjyqësori e prokuroria për vrasjet e grave nga bashkëshortët e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat