Abdixhiku me akuza të rënda sulmon Kurtin

Aktuale

Abdixhiku me akuza të rënda sulmon Kurtin

Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 14:06
Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për dialogun e Kosovës me Serbinë duke bërë akuza të rënda ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Gjatë javëve të fundit, LDK-ja ka provuar të kuptojë më shumë rreth procesit të dialogut… kaq pak transparencë e kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit nuk ka mundur të tregojë askush asnjëherë.” – nisi fjalën e tij Abdixhiku.

“Sot në fjalimin e kryeministrit e kuptuam këtë dëmtim të rëndë të procesit dialogues. Na duhet t’i kujtojmë dy dokumente të rëndësishme. Është programi qeverisës i pari. Dhe i dyti është i gushtit 2022.” – vazhdoi ai, duke iu referuar fjalimit të Kurtit para pak minutash.

“Në dokumentin e parë, kryeministri flet për angazhimin e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje finale, jo bazike. Pjesë e kësaj marrëveshjeje finale do të ishte njohja reciproke de jure me Serbinë. Njohja e pesë anëtarëve të BE-së. Dhe anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në këtë dokument, kryeministri flet edhe për koordinim të ngushtë me opozitën. Përmbajtjen e dokumentit të dytë jua rikujtova në seancën e kaluar…” – vazhdoi z. Abdixhiku në partinë e tij.

Ai theksoi që Kurti nuk ka arritur të realizojë asnjërin prej qëndrimeve të tij.

“Asnjëri nga gjashtë kapitujt e tij nuk janë pjesë e dialogut që ai e ka pranuar në fillim. Tash flasim për njohje bazë, pa njohjen de jure, që e vendos Kosovën në një platformë të re negociuese.” – theksoi ai.

Abdixhiku pretendoi edhe se Kurti e kishte bërë platformën e dialogut si platformë partiake.

“Për të jepet përshtypja se më e rëndësishme është ballafaqimi me rivalët politikë në Kosovë se sa me Serbinë.”

Kreu i LDK-së u shpreh se Kosova nën Kurtin nuk ishte koordinuar me aleatët e saj të mëdhenj, çka kishte bërë që të binim në atë që e quajti si grackë të Serbisë.

Ndërkohë, Abdixhiku e quajti “populizëm” pozicionin e kryeministrit në lidhje me Asociacionin duke shtuar se ai ose duhej ta shfuqizonte marrëveshjen ose ta zbatonte Asociacionin sipas Kushtetutës së vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat