Molliqaj thërret protestë kundër Qeverisë dhe Asociacionit

Aktuale

Molliqaj thërret protestë kundër Qeverisë dhe Asociacionit

Nga: A.SH Më: 27 shkurt 2023 Në ora: 18:13
Dardan Molliqaj

Në ditën kur edhe po mbahet takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje për protestë “kundër Qeverisë së Kosovës” sepse siç është shprehur ai është “kundër Asociacionit”.

“Askush nuk ka mandat për Asociacionin. Rezistenca ishte shoqërore. Nuk jemi angazhuar për t'i ndërruar fytyrat që e zbatojnë Asociacionin. Nese ka ndodhur që pushteti është tjetërsuar aq pakthyeshëm, atëherë zgjedhje ose referendum. Përndryshe, protesta në rrugë. Kundër Qeverisë sepse kundër Asociacionit”, ka shkruar Molliqaj.

Shkrimi i plotë:

THIRRJE

Protesta kundër Qeverisë sepse kundër Asociacionit.

Aktivistë e qytetarë,

ju që mbushët sheshet me protesta dhe bllokuat Asociacionin;

Ju që organizuat mijëra tubime kundër Asociacionit;

Ju që shkelët me këmbë çdo pëllëmbë të Kosovës për t'i mbledhur 200 mijë nënshkrime;

ju 200 mijë qytetarë që me vetëdije e vullnet firmosët kundër ndarjes etnike;

ju që denjuat burgun dhe sollët protestën brenda Kuvendit;

E di që shumë prej jush keni besuar vërtet që Kurti nuk e bën Asociacionin; shumë keni vlerësuar që kritika jonë është subjektive dhe lidhet me "hesapet" tona; tashmë s'ka vlerësime as analiza; ora kritike po vjen, marrëveshja që na pret në Bruksel është pa njohje dhe me Asociacion në qendēr; aty është orari dhe mënyra e zbatimit.

Askush nuk ka mandat për Asociacionin. Rezistenca ishte shoqërore. Nuk jemi angazhuar për t'i ndërruar fytyrat që e zbatojnë Asociacionin. Nese ka ndodhur që pushteti është tjetërsuar aq pakthyeshëm, atëherë zgjedhje ose referendum. Përndryshe, protesta në rrugë. Kundër Qeverisë sepse kundër Asociacionit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat