​PSD: Kurti në Ohër mashtroi dhe konfirmoi se është dorëzuar

Aktuale

​PSD: Kurti në Ohër mashtroi dhe konfirmoi se është dorëzuar

Më: 21 mars 2023 Në ora: 15:40
Aksioni i PSD-së

Anëtarët e Partisë Socialdemokrate kanë mbajtur një aksion simbolik në urën e madhe në lagjen Lakrishtë, përmes të cilit kanë kundërshtuar dakordimin e arritur në Ohër nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq.

PSD në urë vendosi pankartën me figurën e kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti me hundë të zgjatur si “pinokio” dhe mbishkrimin “Kundër marrëveshjes, kundër mashtrimit”.

Ndërsa, po ashtu nga ky subjekt politik jo parlamentar janë ftuar qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në protestën e organizuar më 25 mars prej orës 14:00 për të kundërshtuar këtë marrëveshje.

Sekretari i PSD-së, Nol Nushi tha se hunda e gjatë e paraqitur në këtë pankartë e kryeministrit Kurti tregon rrugën e mashtrimit në raport me dialogun me Serbinë.

Ai tha se marrëveshja e dakorduar në Ohër konfirmoi se Kurti është dorëzuar.

“Është thirrje për protestën e 25 marsit që fillon në orën 14:00 tek sheshi ‘Zahir Pajaziti’, hunda e gjatë e kryeministrit Kurti është rruga e tij e gjatë e mashtrimit e popullizmit dhe gënjeshtrave të tij në raport me dialogun me Serbinë. I gjithë pushteti i tij sa ishte në opozitë ishte dialogu me Serbinë, kundërshtimi i dialogut, protestat më të mëdha kanë qenë të organizuar prej tij kundër Zajednicës kurse çka po ndodh sot është pranim i të gjitha marrëveshjeve që ka kundërshtuar dhe pranim i formimit të Zajdenicës... Marrëveshja e Ohrit na e konfirmoi se Kurti është dorëzuar protesta e së shtunës e 25 marsit në orën 14:00 është kundër kësaj marrëveshje të dëmshme por edhe kundër mashtrimit, u shpreh ai.

Nushi ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’u bashkangjiten në protestën e së shtunës për të kundërshtuar marrëveshjen e dakorduar mes palës serbe dhe kosovare, e cila nuk është nënshkruar.

Ai u shpreh se presin që pjesëmarrës në këtë protestë të jenë edhe anëtarë të LVV-së të cilat janë mashtruar.

“I ftojmë gjithë ata që janë kundër marrëveshjes edhe ata që kanë dilema a duhet me pranua marrëveshjen apo jo por që janë kundër mashtrimit e zotëri Kurti të dalim bashkërisht ta kundërshtojmë këtë sjellje arrogante të këtij pushteti....të protestojmë së bashku edhe kundër marrëveshjes edhe kundër mashtrimit hundëgjatit kryeministrit Kurti....pres që pjesë e protestës të jenë më së shumti anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosjes sepse ata janë më të mashtruarit. Ata e kanë votuar udhëheqësin e tyre për t’i ndal këto konsensione ndaj Serbisë dhe po del se kryeministri Kurti u deshtë me i fitua 50% pikërisht ato marrëveshje që i ka kundërshtuar ”, theksoi ai.

E të shtunën më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut u takuan pala kosovare dhe ajo serbe me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Palët upajtuan për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat