Joseph: Administrata Biden duhet ta bind Ukrainën ta njohë Kosovën

Aktuale

Joseph: Administrata Biden duhet ta bind Ukrainën ta njohë Kosovën

Më: 23 mars 2023 Në ora: 00:18
Edward Joseph

Profesori amerikan në Universitetin e Johns Hopkins, Edward Joseph ka thënë se Administrata Biden duhet ta bindë Ukrainën nëpërmjet marrëveshjes së Ohrit që ta njohë Kosovën. Kjo, sipas tij, do t’i vinte në situatë të vështirë pesë shtetet mos-njohëse.

Ai ka propozuar tri pika me anë të së cilës Marrëveshjen e Ohrit duhet ta paraqesë si obligative për nga natyra, në mënyrë që të mos i shmanget detyrimeve Beogradi.

“Së pari, BE-ja duhet të eliminojë pretendimin se është vetëm lehtësues midis palëve – dhe Uashingtoni duhet të eliminojë pretendimin se është vetëm mbështetës që ndjek shembullin e BE-së. Vetë marrëveshja përfshin “Propozimin e BE-së” në titullin e saj – i mbështetur plotësisht dhe i avancuar nga Shtetet e Bashkuara”.

“Së dyti, BE-ja duhet të eliminojë çdo dyshim të vazhdueshëm për natyrën detyruese të marrëveshjes dhe të gjitha dispozitave të saj. Të nxitur nga komentet e nxituara në internet, shqiptarët e Kosovës janë të shqetësuar se Vuçiq mund t’i shmanget marrëveshjes sepse ai nuk e ka nënshkruar atë, ose thjesht të zgjedhë ato dispozita që dëshiron të zbatojë. Zyrtarët perëndimorë ia kanë kënaqur nevojat autokratike Vuçiqit për t’u përballur me kritikët vendas. Nëse Vuçiqit i lejohet të shtrembërojë kushtet apo edhe statusin e marrëveshjes, shanset e zbatimit bien”, thekson më tej ai.

Në pikën e tretë, ai përmend nxitimin e shteteve mos-njohëse që ta njohin Kosovës.

“Administrata Biden duhet të mendojë jashtë kutisë. Një nga qasjet e mundshme është të bindin Ukrainën që të njohë Kosovën në bazë të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke i vënë shtetet mos-njohëse me një sfidë të vështirë: Nëse vendi, kufijtë e të cilit po shkatërrohen nga një armik me armë bërthamore, mund ta njohë Kosovën, pse ata nuk munden?”, thotë Joseph në një opinion editorial për ‘Foreign Policy’.

Ai ka thënë se angazhimi i SHBA-së drejt kësaj duhet të fillojë menjëherë, meqë shtyrja e mëtejshme “një Washington i shpërqendruar humbasë fokusin, duke lejuar që procesi të kalojë përsëri në menaxhimin e krizave”.

“Koordinimi dhe fokusi i ngushtë transatlantik e kanë sjellë Serbinë dhe Kosovën në prag të një përparimi. Me pak më shumë përpjekje dhe imagjinatë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, i gjithë rajoni mund të kalojë pragun, duke e izoluar përgjithmonë Ballkanin nga ndikimi rus dhe kinez”, përfundon Joseph.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat