Sveçla: Janë identifikuar sulmuesit e Valon Sylës

Aktuale

Sveçla: Janë identifikuar sulmuesit e Valon Sylës

Më: 12 prill 2023 Në ora: 17:39
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

Sveçla ka thënë se pas hetimeve intensive të Policisë së Kosovës, tanimë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit, Valon Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme.

Postimi i plotë:

Sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari, puna dhe liria e shprehjes të së cilit janë të garantuara me legjislacionin tonë dhe jo vetëm.

Si qytetar dhe si Ministër i Punëve të Brendshme natyrisht jam shqetësuar me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla. Si shoqëri dhe si pjesë e institucioneve angazhohemi për një shtet ku mbizotëron demokracia e ku mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme.

Pas hetimeve intenzive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë.

Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat