Walker i gatshëm të dëshmojë në Hagë për ish-krerët e UÇK-së

Aktuale

Walker i gatshëm të dëshmojë në Hagë për ish-krerët e UÇK-së

Më: 13 prill 2023 Në ora: 20:36
William Walker

Bernard Kouchner, William Walker, Wesley Clark, James Rubin, këta janë disa nga profilet e larta për të cilët avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka paralajmëruar se do t’i ftojë si dëshmitarë në Hagë.

E njëri nga ta veçse është shprehur i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë.

Bëhet fjalë për ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker.

Ambasadori amerikan, thotë se vetëm duhet t’ia tregojnë datën se kur mund të paraqitet për të dëshmuar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

“Do të isha shumë i lumtur që të dëshmoja në emër të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nëse më kërkohet një gjë e tillë. Unë jam i gatshëm të paraqitem kurdo që më thërrasin avokatët ose gjykata, ata krejt çka duhet të bëjnë është të ma tregojnë datën”

Tutje, Walker është shprehur shumë kritik ndaj Gjykatës Speciale.

Sipas tij, mënyra se si Gjykata është duke e paraqitur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është qesharake.

“Më duket qesharake i gjithë koncepti i kësaj gjykate. E shoh këtë gjykatë si shumë të padrejtë. Mënyra se si ata po e paraqesin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është e gabuar. UÇK nuk ishte një ushtri formale andaj nuk mund të thuhet se ka pasur një zinxhirë komandues”, ka thënë njeriu i cili pa nga afër një nga masakrat më të mëdha të kryera në Kosovë nga regjimi serb, atë të Reçakut.

Ai thotë se është një palë tjetër që duhet të ndiqet penalisht për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

“Zinxhiri i vërtetë komandues që mendoj se duhet të ndiqet penalisht për krime lufte është sigurisht zinxhiri komandues serb që u drejtua nga Millosheviqi deri te të gjithë llojet e njerëzve përfshirë Vuçiqin dhe tek ata që ishin në terren duke bërë krime ndaj njerëzimit”, ka thënë Walker.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në Hage që nga nëntori i viti 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat