Osmani kërkoi ndihmën e Suedisë për integrimin e Kosovës në BE

Aktuale

Osmani kërkoi ndihmën e Suedisë për integrimin e Kosovës në BE

Më: 20 prill 2023 Në ora: 16:47
Foto: Presidenca e Kosovës

Kështu deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pas liberalizimit të vizave, synimi i Kosovës është që të bëhet edhe anëtare e familjes së madhe evropiane. Këtë deklaratë ajo e ka potencuar gjatë takimit që zhvilloi me ministrin për Punë të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e shtetit suedez ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta, në procesin e shtetformimit, shtetëndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Në këtë takim presidentja Osmani ka theksuar se me liberalizimin e vizave për Kosovën, mori fund padrejtësia ndaj qytetarëve të Kosovës, ndërsa anëtarësimi në BE, mbetet synim. .

Në këtë kontekst, Osmani kërkoi mbështetje nga ministri Billström që Suedia si kryesuese e Këshillit të BE-së, ta mbështes aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është orientim strategjik.

Mbështetja e Suedisë në këtë drejtim, sipas Osmani është thelbësore për të ecur përpara me procesin e anëtarësimit në BE, duke ia dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat.

Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, presidentja kosovare tha se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore. Megjithatë, ajo ka potencuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtar rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Presidentja në takim me ministrin Billström ka falënderuar Suedinë, e cila ka mbështetur Kosovën në procesin e reformave, zhvillimin ekonomik, promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, mbrojtjen e biodiversitetit dhe qëndrueshmërisë mjedisore sikurse edhe në shkëmbimet kulturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat