Anulohet seanca e caktuar për sot në rastin Pjetër Shala, kjo është data kur rinis gjykimi

Aktuale

Anulohet seanca e caktuar për sot në rastin Pjetër Shala, kjo është data kur rinis gjykimi

Më: 5 maj 2023 Në ora: 08:29
Pjetër Shala

Seanca e paracaktuar më 5 maj në rastin e Pjetër Shalës është anuluar dhe se gjykimi ndaj tij pritet të vazhdojë më 19 maj 2023.

Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

‘‘Pas vendimit gojor të Trupit Gjykues, gjykimi ndaj Pjetër Shalës përfundoi për ditën e sotme, ndërsa seanca e caktuar për nesër (më 5 maj) anulohet. Gjykimi do të rinis të premten, më 19 maj, në orën 09:30’’, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ndryshe, gjatë seancës së ditës së sotme, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia gjatë seancës së të enjtes, ka nxjerrë pesë urdhra me gojë dhe ka paraqitur kalendarin për këtë çështje deri në janar të vitit 2024.

Më 25 prill, Shala e ka dorëzuar dosjen paraprake për gjykimin që po zhvillohet ndaj tij.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj.

Këta dëshmitarë ishin paraparë të dëgjoheshin për pesë seanca, por meqë të njëjtit kanë përfunduar dëshmitë për katër ditë, seanca e 31 marsit 2023 nuk është mbajtur.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat