Osmani: OSBE-së vlerëson partneritetin me Kosovën

Aktuale

Osmani: OSBE-së vlerëson partneritetin me Kosovën

Më: 26 maj 2023 Në ora: 12:33
Bujar Osmani dhe Donika Gërvalla

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujari Osmani, ka shprehur mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij është e rëndësishme qe të ulen tensionet në pjesën veriore të Kosovës dhe t’i jepet hapësirë dialogut.

Këto deklarata Osmani i ka bërë gjatë vizitës së tij në Kosovë, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së.

Osmani: Të ulen tensionet në pjesën veriore të Kosovës dhe t’i jepet hapësirë procesit politik të dialogut

“Siç e theksova edhe në Serbi, është kruciale edhe për neve që ta kalojmë faqen tjetër dhe ta shohim të ardhmen së bashku, tentimet e bashkëpunimit rajonal duhet të jenë të afërta dhe bashkëpunojmë sa më shumë që maksimizojmë dialogun për bashkëpunimin rajonal në Ballkan aq më shumë e minimalizojmë çështjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve....Pavarësisht të gjitha sfidave asnjëherë nuk duhet t’i ndalojmë të folurit e gjërave që janë të rëndësishme, kjo është e rëndësishme edhe për dialogun e fasilituar nga BE. Jemi të lumtur që e kemi mirëpritur një takim në Ohër që ka trasuar rrugën më tej për normalizimin e marrëdhënieve, ne e mbështesim këtë proces që kontribuon në stabilitetin rajonal. Dhe e thash dje në Beograd, dhe do të doja ta përsërisë edhe këtu, është e rëndësishme që të ulen tensionet në terren në veri të Kosovës që t’i jepet hapësirë procesit politik të dialogut të lehtësuar nga BE”, u shpreh ai.

Teksa ka shprehur mbështetjen e misionit të OSBE-së për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani në mes Kosovës dhe Serbisë, Osmani ka thënë se sa më shumë të rritet bashkëpunimi rajonal më shumë do të minimizohet mundësia për konflikte në rajon.

Osmani: Institucionet e Kosovës kanë bërë progres në promovimin e institucioneve demokratike

“Sot vizita në Prishtinë i përkushtohet misionit të OSBE në Kosovë, dhe me këtë vizitë dua që të vlerësojë partneritetin dhe marrëdhëniet e mira me institucionet e Kosovës për 20 vite...Qëllimi është që t’i inkurajojmë institucionet e Kosovës që të bazohen në OSBE si burim kyç në dizajnimin dhe implementimin e reformave. OSBE, institucionet e Kosovës dhe komunitetet kanë bërë një progres të dukshëm së bashku në promovimin e institucioneve funksionale demokratike të të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha ai.

Osmani ka folur pasi ka zhvilluar takim me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kjo e fundit ka theksuar se kanë biseduar edhe rreth implementimit të marrëveshjeve që rezultojnë nga Procesi i Berlinit të nënshkruara në nëntor të vitit të kaluar.

Gërvalla: Shtetet që nënshkruan marrëveshjet në Berlin të ecin përpara në implementimin e tyre

“Biseduam gjithashtu edhe për implementimin e marrëveshjeve që rezultojnë nga Procesi i Berlinit, marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor të vitit të kaluar për shkak se Republika e Maqedonisë së Veriut i depoziton marrëveshjet dhe merret pak a shumë me mbikëqyrjen e implementimit të tyre. Të dy u pajtuam që duam të besojmë që të gjitha shtetet që kanë nënshkruar këto marrëveshje do të ecin përpara me implementimin. Ndërkohë, konstatuam se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova i kanë ratifikuar në ndërkohë dhe po merren me zbatimin e tyre”, ka thënë ministrja Gërvalla.

Bujar Osmani është pritur në takim edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, politikani shqiptar nga Maqedonia e Veriut do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Maqedonia e Veriut ka marrë këtë vit kryesimin e OSBE-së. Pritjet e Osmanit janë që të vendosin vëmendjen në rolin e OSBE-së, në teren dhe në lehtësimin e pasojave që konfliktet i sjellin mbi njerëzit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat