​Mbi dhjetë media sulmohen në Leposaviq

Aktuale

​Mbi dhjetë media sulmohen në Leposaviq

Më: 30 maj 2023 Në ora: 14:44
Makina

Situata në veriun e Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Gazetarët, të cilët po raportojnë zhvillimet e fundit në komunën e Leposaviçit, janë sulmuar me sende të forta nga persona të maskuar.

Veturat e mediumeve shqiptare të A2 CNN dhe Panorama, të cilët po raportojnë nga veriu i vendit, janë vandalizuar.

Të dyja ekipet kanë qenë brenda veturave të mediumeve të tyre. Sulmi është bërë me tulla dhe gurë, ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Gazetarët kanë pohuar se megjithëse trupat e KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes, përpos që nuk kanë reaguar, ata edhe janë larguar direkt nga aty pa ndërmarrë ndonjë masë e cila do t’iu siguronte mbrojtje ekipeve, tashmë të sulmuara.

“Ne ishim brenda në makinë, kur na sulmuan me gurë. Pas nesh ishte edhe një tjetër automjet i një televizioni shqiptar. Makinat i kemi parkuar shumë larg komunës së Leposaviqit, megjithatë edhe këtu na kanë sulmuar. Në çdo komunë ka pasur të tilla incidente të këtij lloji, ku viktimë kanë rënë media të tjera shqiptare. Forcat e KFOR-it qëndronin pranë nesh dhe sapo panë këta persona të maskuar, u larguan. Këtu nuk ka as prezencë policie. Ishin 4-5 të rinj me maska, me shall që na sulmuan, ndërsa ne ishim të gjithë në makinë brenda”, u shpreh gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi.

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa ekipet e gazetarëve vazhdojnë të jenë cak i protestuesve gjithandej. Edhe një herë, AGK i bën thirrje trupave paqeruajtëse të sigurojnë ambient të sigurt për raportim, ndërsa gazetarët i ftojmë që të tregojnë kujdes të shtuar sepse atyre nuk po iu garantohet siguri në asnjë moment.

Për AGK-në, ky numër i sulmeve është alarmues, ndërsa fton vendimmarrësit që të krijojnë protokolle të cilat garantojnë raportim të sigurt për gazetarët, sa më parë.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve, në Komunën e Leposaviqit aktualisht gazetarët e mbi 10 medieve janë sulmuar nga persona të maskuar.

“Kolegët nga Tëvë1 kanë njoftuar AGK-në, se disa persona ua kanë thyer kamerën atyre me arsyetimin që të mos i xhirojnë, pasi janë me maska. Këto sjellje nga protestuesit maskuar janë totalisht të papranueshme, dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të sigurisë që janë prezent në këtë komunë, t’i sigurojnë gazetarët në mënyrë që të njëjtit të raportojnë pa u sulmuar e penguar. Njëherësh, ju bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit. Ekipit të televizionit Kanal 10 iu është dëmtuar vetura gjatë raportimeve në veri të vendit. Këto sulme në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë po intensifikohen, ndërsa ata vazhdojnë të raportojnë në kushte shumë të rënda. Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit. AGK-ja, u bën thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve. Ndërsa, kolegëve gazetarë iu bëjmë thirrje që t’iu përmbahen intruksioneve të Policisë së Kosovës. Mëngjesin e sotëm, vetura e ATV-së ka qenë cak i sulmit nga protestuesit serbë. Në fotografitë dërguar AGK-së, shihet se i janë shpërthyer gomat veturës me qëllim të pengimit të raportimit. Kjo situatë me të cilën po përballën gazetarët është tejet shqetësuese, dhe po rëndohet çdo herë e më shumë, pasi ata po vazhdojnë të jenë target i protestuesve serbë”, thuhet në komunikatë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën thirrje të gjithë kolegëve gazetarë, kameramanë, fotoreporterë dhe shoferët e ekipeve të tyre, që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në rast nevoje t’i drejtohen për ndihmë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat