Kurti: Italia një mike dhe aleate e Kosovës

Aktuale

Kurti: Italia një mike dhe aleate e Kosovës

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 00:09
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në festën për nder të shënimit të Ditës Kombëtare të Italisë.

Kurti tha se ishin mbledhur për festën kombëtare të një vendi mik dhe aleat të Kosovës, ku nesër, më 2 qershor, në Romë dhe në të gjithë Italinë do të festohet Dita e Republikës në përkujtim të referendumit të mbajtur në vitin 1946, kur populli italian, duke ushtruar sovranitetin e tij, vendosi për formën e qeverisjes dhe shtetit.

Tutje, shefi i ekzekutivit ka thënë se Kosova e sheh Italinë si një mike dhe aleate se Italia është partneri i dytë më i madh tregtar i Kosovës, pas Gjermanisë, sa i përket eksporteve dhe importeve ndërmjet dy vendeve, dhe se tregtia ka qenë vazhdimisht në rritje, sidomos në vitet e fundit.

Italia, siç potencoi ai, ishte një vend i një rëndësie të veçantë gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila shpëtoi jetën e qindra mijëra shqiptarëve që ishin shënjestër e sipërmarrjes gjenocidale të Serbisë gjatë regjimit të Millosheviqit.

“Që nga ajo kohë, ushtarët italianë janë angazhuar si paqeruajtës në Kosovë dhe në shumicën e rasteve kanë mbajtur poste drejtuese në KFOR-in e NATO-s. Gjatë gjithë kësaj kohe ushtarët italianë të Ushtrisë së Karabinierëve janë dalluar në dy aspekte: në trimërinë dhe humanizmin e tyre”.

Ai tha se vlera e ushtarëve italianë u dëshmua edhe të hënën, në 29 maj, në Zveçan, ku forcat e KFOR- it patën përballë një turmë ku ishin infiltruar elementë të dhunshëm, pjesërisht të ardhur nga jashtë Kosovës, e me synime kriminale.

“11 ushtarë trima italianë u lënduan, tre prej tyre rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Sot nuk është dita për të folur se cilët janë ata që sulmuan paqeruajtësit, megjithatë një gjë duhet ta themi gjithmonë dhe kudo: ata që sulmojnë paqeruajtësit, sulmojnë paqen”.

“E di që ka një përpjekje për ta vënë fajin te forcat e KFOR-it apo te ato të Policisë së Kosovës, mirëpo as KFOR-i dhe as Policia e Kosovës nuk ka sulmuar dhe nuk ka prekur askënd, thjesht kanë kryer detyrën duke parandaluar trazirat e porositura nga jashtë e që nuk i interesojnë asnjë qytetari të Kosovës të cilësdo etnie ai qoftë”, tha kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat