Vazhdojnë protestat në veri, ja si është situata

Aktuale

Vazhdojnë protestat në veri, ja si është situata

Më: 3 qershor 2023 Në ora: 09:20 Përditësuar në ora: 13:41 më 03.06.2023
Protestuesit, kryesisht gra që janë duke protestuar afër ndërtesës komunale në Zveçan.

Si është gjendja sot në veri, flet zëdhënësi i Policisë

Në tri komunat veriore të vendit, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, protestat e serbëve lokalë po vazhdojnë edhe sot.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se aktualisht situata është e qetë.

Kelani ka shtuar se monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve relevante të sigurisë po vazhdojnë në këto komuna.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, po vazhdonë angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat veriore.

Referuar zhvillimeve në veri të vendit, ka bërë që situata të jetë e tensioniar dhe e brishtë, por sot aktualisht situata është e qetë. Monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve relevante të sigurisë po vazhdojnë në komunat veriore”, ka deklaruar Kelani.

Ndryshe, serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në këto komuna, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Protesta në Zveçan, policia: Sulm ndaj rendit kushtetues, 70-80 persona sulmuan zyrtarët tanë

Policia e Kosovës protestën e së hënës të serbëve në Zveçan, e ka cilësuar sulm të rendit kushtetues të Kosovës.

Sipas policisë, në protestën e 29 majit rreth 70-80 persona të dhunshëm, duke përdorur armë zjarri, mjete eksplozive, gurë e tulla kanë sulmuar zyrtarët policorë.

“Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin 24 orësh.

Kujtojmë se serbët në mënyrë që të ndalen protestat po kërkojnë largimin e kryetarëve nga objektet komunale bashkë me Policinë e Kosovës prej atje.

Vazhdon protesta në Leposaviq, raportohet se Hetemi është larguar nga objekti i komunës

Në Leposaviq serbët janë mbledhur sërish për të protestuar, duke nisur kështu ditën e gjashtë të protestës atje.

Në Leposaviq sot në mëngjes është qetësi, ndërsa në pllajën përballë komunës së Leposaviqit janë pjesëtarë të KFOR-it italian të stacionuar pas telave me gjemba dhe gardhit metalik.

Ndërsa ka edhe autoblinda të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Në rrjetet sociale gjatë natës thuhet të jetë përhapur lajmi se kryetari Lulzim Hetemi është larguar nga ndërtesa e komunës, Kosova Online.

Vazhdojnë protestat në veri, ja si është situata

Protesta në komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë duke vazhduar edhe të shtunën e 3 qershorit.

Sipas REL, situata në Zveçan është e qetë.

Kryesisht në protestë janë duke marrë pjesë gratë, që janë të punësuara në sektorin e edukimit.

Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 26 majit në komunat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat