Gjykimi për fajde dështon edhe në herën e pestë

Aktuale

Gjykimi për fajde dështon edhe në herën e pestë

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 12:28
Foto ilustrim

Edhe pse kanë kaluar 5 vite nga mbajtja e seancës së fundit, të mërkurën ka dështuar sërish në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi për fajde ndaj të akuzuarve Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu.

Në këtë rast, të akuzuarit Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu, ngarkohen se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjeteve motorike, në të cilat shuma edhe kishin marrë fajde.

Lajmin për dështimin e sërish të kësaj seance e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Avdullahu, avokati Forent Latifaj.

Sipas avokatit Latifaj, me kërkesë të njërit nga dëshmitarët për arsye shëndetësore dhe të vetë palës së dëmtuar, pasi që kanë pasur një urgjencë, ka ardhur deri te dështimi i seancës.

“Betimi për Drejtësi” ka dërguar kërkesë për informata pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u njoftuar lidhur me arsyet e dështimit të gjykimit, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli ende nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.

Seanca e radhës për këtë çështje, pritet të mbahet më 17 korrik 2023.

Ndryshe, për këtë rast edhe seancat e caktuara më 16 janar 2023, 14 shkurt 2023, 16 mars 2023 dhe 17 maj 2023, nuk ishin mbajtur./BPD

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat