Krasniqi reagon: I gjithë vendi të solidarizohet me qytetin e Pejës

Aktuale

Krasniqi reagon: I gjithë vendi të solidarizohet me qytetin e Pejës

Më: 25 qershor 2023 Në ora: 13:41
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i pikëlluar për ngjarjen tragjike në Pejë, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave Mirsada dhe Dion Ademaj.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë thirrje që i gjithë vendi, pa përjashtim, në këto momente të solidarizohet me qytetin e Pejës, për mbështetje të parezervë.

Postimi i tij i plotë:

Thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë, ku si pasojë e vërshimeve kanë humbur jetën Mirsada dhe Dion Ademaj, nënë e bir, 30 respektivisht 5 vjeç. Në momente të rënda si ky, me zemër dhe mendje jam pranë familjes Ademaj për të ndarë dhembjen e madhe nga humbja e më të dashurve të tyre. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të gjithë qytetit të Pejës, të cilët u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore.Vërshimet e mëdha kanë lënduar edhe shumë persona të tjerë, për të cilët uroj shërim të shpejtë. Ashtu siç kanë shkaktuar edhe shumë dëme të mëdha materiale, për të cilat, pas komunikimit me zyrtarët në qytetin e Pejës, mësova se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për sanimin dhe rikuperimin e tyre. E rëndësishme është që i gjithë vendi, pa përjashtim, në këtë moment sfidues, të solidarizohet me qytetin e Pejës dhe të ofrojë mbështetjen e parezervë për tejkalimin e kësaj situate.

Ftoj edhe Qeverinë e Kosovës që të jetë aktive dhe të shfrytëzoj të gjitha kapacitetet e saj logjistike e materiale, në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të Pejës në përballimin e kësaj fatkeqësie!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat