Kurti takoi zëvendës ndihmës Sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters

Aktuale

Kurti takoi zëvendës ndihmës Sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 19:17
Pamje nga takimi

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Estonisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po ashtu zhvilloi një takim me zëvendës ndihmës Sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters.

Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Qeveri të Hapur dhe për mundësitë e bashkëpunimit me agjencitë amerikane, sikurse USAID në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për OGP, me theks te shtylla e parë e këtij plani, përkatësisht te transformimi digjital.

“Falë vëmendjes së Qeverisë në transformimin digjital, sidomos me shërbimet në e-qeverisje dhe digjitalizimin në arsim, që pritet të përkthehet në investime prej 100 milionë euro në pesë vitet e ardhshme, synohet që të ofrojmë infrastrukturë sa më të përshtatshme për kompanitë e këtij sektori ashtu që të mund të zhvillohen sa më shumë.
Duke folur për potencialin e Kosovës në fushën e Teknologjisë së Informacionit, kryeministri theksoi se Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor në indeksin e konkurrueshmërisë së IT-së, të parët në Evropën në Zhvillim (Emerging Europe) për numrin e studentëve në fushën e TI-së për 100 mijë banorë, kurse të dytët për infrastrukturën teknologjike”
, thuhet në komunikatën për medie të lëshuar nga Qeveria.

Sipas komunikatës, kryeministri Kurti veçoi edhe progresin në indikatorë ndërkombëtarë të transparencës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat