Dhunë dhe arrestime, gjithçka çka ndodhi në protestën e PSD-së kundër Trendafilovës

Aktuale

Dhunë dhe arrestime, gjithçka çka ndodhi në protestën e PSD-së kundër Trendafilovës

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 14:17 Përditësuar në ora: 17:09 më 29.11.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Dhunë dhe arrestime, gjithçka çka ndodhi në protestën e PSD-së kundër Trendafilovës

Në dhunë ka eskaluar protesta e organizuar të mërkurën nga Partia Socialdemokrate kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila gjatë qëndrimit në Kosovë po zhvillonte një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.

Anëtarë të PSD-së porsa përfunduan fjalimet politike kundër Gjykatës Speciale, hodhën mjete shpërthyese dhe tymuese ndaj pjesëtarëve të Policisë sëKosovës, të cilët në numër të madh po e ruanin objektin ku po mbahej takimi i Trendafilovës me shoqërinë civile. Kjo nxiti reagimin e njësive më elite të policisë të cilët arrestuan kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë anëtarëve të tjerë të kësaj partie. Policia shpërndau pjesën tjetër të protestuesve përmes gazit lotsjellës dhe sprejt, ku nuk kursyen as gazetarët, me ç’rast disa prej tyre edhe u lënduan.

Paraprakisht, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, është e padëshiruar në Kosovë, pasi e njëjta ka një qëllim politik që me paraqitë UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Ai tha se sa herë që Kosova është afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë ka përndjekje të ushtarëve të UÇK-së.

Molliqaj: Sa herë që Kosova është afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë ka përndjekje të ushtarëve të UÇK-së

“Jemi mbledh sot këtu me kundërshtuar ardhjen e kryetares së Dhomave të Specializuara. Ajo çka mundemi me thënë është e qartë. Sa herë që kemi qenë më afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë ka pasur përndjekje të ushtarëve të UÇK-së. Sa herë kanë dashur me na barazua Kosovën dhe Serbinë janë përndjekur ushtarët e UÇK-së...E di që dikujt mundet me iu dukë jo logjike, por është thellësisht politike. Bash tash kur Serbisë nuk po ia kërkojnë njohjen e Kosovës dhe bash tash kur po ia japin autonominë e serbëve në Kosovë, krerët e UÇK-së janë në Hagë. Këtu vepra për çka këta akuzohen janë vepra të vjetra të UNMIK-ut të vitit 2000-2001, por tash që duhet me u afrua me Serbinë tash duhet ushtarët e UÇK-së me i përndjek”, tha ai.

Molliqaj akuzoi edhe kryeministrin Albin Kurti se po i gëzohet qëndrimit në Hagë të ish krerëve të UÇK-së. Ai tha se bash tash kur ish krerët e UÇK-së po qëndrojnë në Hagë, Kurti po i jep autonomi serbëve në Kosovë.

Molliqaj: Duhet të mbrohet UÇK-ja që mos të vjen autonomia

“Arrestimi i Thaçit dhe të tjerëve që janë në Hagë ka qenë i mundshëm vetëm pas një fryme që erdh me Lëvizjen Vetëvendosje. Hetimet kundër tyre kanë ndodhur shumë moti dhe gjykata është themeluar më herët, por kur e panë që populli po e mbështet një subjekt politik që nuk e mbështet luftën e UÇK-së-së e panë që është e mundshme”, theksoi Molliqaj.

Pas qetësimit të situatës, nënkryetari i PSD-së, Qëndron Kastrati kërkoi lirimin e Molliqajt dhe të arrestuarve të tjerë, derisa akuzoi policinë se është instrumentalizuar nga vendimet politike dhe se ka përdorur dhunë joproporcionale ndaj protestueseve.

Ai shtoi se qëllimi ka qenë kundërshtimi i vizitës së Trendafilovës përmes metodave simbolike, derisa tha se hedhja e mjeteve shpërthyese dhe tymuese ndaj policisë ka mundur të bëhet në krye veti nga protestuesit.

Kastrati: Të lirohen të arrestuarit, policia ka përdorur dhunë joproporcionale

“Policia e Kosovës dhe institucionet kanë përdorur një dhunë joproporcionale. Një aksion simbolik kanë fillua me njësitet më elite të policisë duke përdorur gaz lotsjellës dhe sprej, e cila në një moment iu drejtua gazetarëve që me krijua frikësim dhe disiplinim tek krejt ata që e kundërshtojnë Gjykatën Speciale...Ne kërkojmë që duhet me u liruar krejt aktivistët e arrestuar. Janë gjashtë gjithsej sa e dina deri tash duke përfshirë kryetarin Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Agroni, Genti dhe Korabi. I ftojmë policinë që të lirohen ata menjëherë pasi ky ka qenë një aksion pa qëllim me dëmtua dikë apo diçka tjetër, por ka qenë aksion me tregu se këtu ka pakënaqësi ndaj një gjykate që po mundohet me u imponuar dhunshëm dhe me paraqit UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale...PSD-ja ka bërë një aksion dhe reagim brenda metodave simbolike dhe kundërshtimit. Tash unë nuk e di çka ka ndodh krejt, ka mundur dikush që ka bërë në krye në veti”, theksoi Kastrati.

Ai paralajmëroi se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera në kundërshtim të Gjykatës Speciale.

Pasi u shpërndanë protestuesit në teren dolën edhe zyrtarët e forenzikës të cilët e ekzaminuan vendin ku ka ndodhur protesta dhe mblidhnin provat ku u hodhën mjetet shpërthyese dhe tymueset.

​Klinaku: Protestën e PSD-së e mbështetëm për të kundërshtuar veprimin e Trendafilovas

Protestën e Partisë Socialdemokrate kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, e ka mbështetur edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinaku.

Para eskalimit të protestës, Klinaku theksoi se do të ishte mirë që Trendafilova të ftoj në këtë diskutim së pari OVL-UÇK-në, për të shprehur sic tha ai kritikat ndaj Gjykatës Speciale për ndalimin e komunikimit të paraburgosurve me familjarë dhe vizitorë.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa anëtarë të Partisë Socialdemokrate, përfshirë edhe kryetarin Dardan Molliqaj

“Edhe pse nuk jemi organizator, protestën që e ka thirrur PSD e kemi mbështetur për shkak se ne edhe ashtu si Organizata të dala nga lufta, konsiderojmë që nuk është roli i gjykatësit apo i kryetares së Gjykatës Speciale që të merret apo të diskutojë me shoqërinë civile e me mediat për gjëja çfarë zhvillimesh po ndodhin në Gjykatën Speciale. Do të bënte mirë Trendafilova që të bënte diçka për më shumë të drejta të njeriut që ua shkelin atje të paraburgosurve. Siç e dini në rastin e fundit ua kanë ndaluar edhe komunikimet me familjarë e me vizitorë, gjë që me të vërtet është absurde që të ndalohet kjo… Do të ishte mirë që Trendafilova të parin që do të duhej ta ftonte për të diskutuar, do të duhej që të na ftonte neve në këtë takim, shoqëri civile jemi edhe ne, sepse Organizata e Veteranëve të Luftës është OJQ. Natyrisht që edhe en kishim marrë pjesë, ndoshta e kishim bërë ndonjë pyetje ose ndonjë kritikë gjë që është shumë e arsyeshme, sepse të gjithë I kemi të drejtat qoftë për të protestuar ose edhe për ta kritikuar Gjykatën Speciale nëse atyre iu shkelen të drejtat e njeriut”, theksoi ai.

Ndërsa, Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate theksoi se nuk do të lejojnë që ‘Gjykata Speciale e pa drejtë me u bërë normale’.

“Takimi i sotëm e kemi ftuar në orën 14:30, por ashtu si po e kuptojmë, pas paralajmërimit të protestës sonë Trendafilova e famshme ka hyrë fshehurazi dhe I ka ftuar edhe pjesëtarë tjerë me hyrë më herët. Ne nuk guxojmë me lejuar që një gjykatë e tillë e pa drejtë me u bërë normale. Sa herë kemi mundësi për çdo rast duhet me kundërshtua. Është e shëndetshme për shoqërinë, për demokracinë e mbi të gjithë për drejtësinë”, tha ai.

Policia e Kosovës ka përdorur gazlotësjellës për shpërndarjen e protestuesve të cilët gjendeshin para njërit nga hotelet në Prishtinës, ku pritej të zhvillohej një takim në mes kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Ndryshe, Trendafilova ndodhet për vizitë në Kosovë dhe po mban një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.

Pamundësohet mbajtja e konferencës së Trendafilovas, tymi depërton brenda sallës

Partia Socialdemokrate kanë hedhur tymuese dhe mjete shpërthyese para dhe në objektin ku është planifikuar të mbahet konferenca e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Tymi që ka depërtuar brënda në vendin ku ishte planifikuar të mbahej konferenca e Trendafilovës me shoqërinë civile ka bërë që e njëjta për momentin të dështojë.

Nga protesta e PSD-së janë arrestuar katër anëtarë të PSD-së, Dardan Molliqaj, Nol Nushi, Korab Korça e Gent Brahimi.

Protesta kundër Trendafilovës, Policia arreston disa protestues

Pas hedhjes së mjeteve tymuese dhe shpërthyese, disa protestues janë arrestuar tek protesta kundër vizitës së Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Në mesin e të arrestuarve janë arrestuar janë edhe Dardan Molliqaj e Nol Nushi.

Nushi ka kontestuar Gjykatën Speciale derisa e ka quajtur njëetnike.

Eskalon protesta – Pamje nga momenti kur arrestohet lideri i PSD’së, Dardan Molliqaj

Ka eskaluar protesta e PSD’së para objektit ku po qëndron kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Prishtinë

Aktivistët kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të policisë.

Aty është arrestuar kryetari i partisë, Dardan Molliqaj.

Përpos tij janë arrestuar edhe disa aktivistë tjerë.

Një gazetar është lënduar gjatë raportimit pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.

Molliqaj: Në kohën kur po tentohet afrimi me Serbinë, Specialja po i përndjekë ushtarët e UÇK-së

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se Gjykata Speciale e ka në mandat të gjykojë vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai shtoi se përndjekja e ushtarëve të UÇK-së nga kjo gjykatë po ndodh në kohën kur po tentohet afrimi me Serbinë.

“Millosheviqin e kem largu, Serbinë e kem bombardu tash duhet edhe krerët e UÇK-së mi dënu. E di që dikujt mund ti duket jo logjike por është thellësisht politik. Tash kur Serbisë nuk po ja kërkojnë njohjen, bash tash krerët e UÇK-së ndodhen në Hagë”, ka deklaruar Molliqaj.

Molliqaj ka shtuar se vperat për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së janë vepra të vjetra të raporteve të UNMIK-ut.

“Por tash që duhet me u ofru me Serbinë duhet me i përndjekë ushtarët e UÇK-së. Gjykata e ka mandat me i gjyku vetëm UÇK-në”, tha Molliqaj.

Kreu i PSD-së shtoi se arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së ka qenë i mundshëm vetëm pas ardhjes së LVV-së në pushtet.

“Kur e panë që populli po e mbështet një subjekt politik që nuk e mbështet UÇK-në e panë që është i mundshëm arrestimi i tyre”, tha Molliqaj.

Ai shtoi se do të pengojnë çdo vizitë të kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë. 

PSD hedh gaz lotsjellës para objektit ku po qëndron Trendafilova

Partia Socialdemokrate po mban protestë para objektit ku po qëndron kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ndërsa kanë hedhur edhe gaz lotsjellës.

Numër i madh i forcave policore ndodhet para hotel Siriusit, ku edhe po qëndron Trendafilova.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa aktivistë të PSD-së.

Nis protesta “anti-Trendafilova” e PSD-së

Ka nisur protesta e Partisë Socialdemokrate ndaj vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovë në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Në fjalën hyrëse, anëtari i kësaj partie, Nol Nushi, tha se brenda objektit ku Trendafilova po mban takim me shoqërinë civile “është një kryetare e një gjykate që pretendon se është e Kosovës”.

“Çfarë transparence ka kjo gjykatë që 75 të seancave i ka të mbyllura, nuk tregojnë se ku i marrin provat e çfarë prova kanë. Kjo gjykatë është etnike dhe e padrejtë, e për këtë ne sot protestojmë”, tha Nushi.

Ndërsa, përpara objektit ku Trendafilova po e mban takimin, një numër i qytetarëve po mbajnë në duar pankarta si “jeni non-grata”, “UÇK-ja është përpjekja për liri” e “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”

Kryetarja e Speciales mbërrin në takimin me shoqërinë civile

Kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova, ka mbërritur në takimin të cilën do ta mbajë me shoqërinë civile.

Ky takim pritet të nisë me fillim nga ora 14:30.

Në orën kur pritet të nisë takimi i Trendafilovës me përfaqësuesit e shoqërisë civile, Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar protestë kundër vizitës së saj në Kosovë.

Vizita zyrtare e saj ka nisur gjatë ditës së djeshme.

Policia e “bllokon” hotelin ku kryetarja e Speciale do të zhvillojë takim, shkak protesta e PSD-së

Hoteli ku pritet të mbajë Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova takim me përfaqësues të shoqërisë civile, është mbushur me zyrtarë policor.

E gjithë kjo, për shkak të paralajmërimit për protestë nga Partia Socialdemokrate.

Edhe veteranët i janë bashkuar protestës së PSD kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat