Zyra e Puidgemont: Do të kërkojmë në Parlamentin e ri që Spanja ta njohë Kosovën

Aktuale

Zyra e Puidgemont: Do të kërkojmë në Parlamentin e ri që Spanja ta njohë Kosovën

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 17:25
Carles Puigdemont

Spanja vazhdon të mbetet një prej shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Një qëndrim i tillë i Madridit zyrtar kohë më parë është raportuar se mund të pësonte modifikim, meqë flitej për hapje zyrash në Prishtinë, por asgjë s’ka ndodhur.

Çështja e mundësisë që Spanja të ndryshojë pozicion për Kosovën është rikthyer përsëri në vëmendje pasi Pedro Sanchez ka arritur që të mbetet kryeministër edhe për një mandat tjetër falë përkrahjes nga partitë katalunase, mes tyre edhe partia e Carles Puigdemont “Junts per Catalunya”.

Në një përgjigje për Express nga zyra e Puidgemont kanë thënë se partia e tyre gjithmonë e ka ndjekur me interes çështjen e Kosovës dhe në vazhdimësi kanë kërkuar nga Qeveria e Spanjës që ta njohë Kosovën plotësisht si shtet të pavarur.

Josep Alay, shef i Stafit të Carles Puidgemont ka thënë një insistim të tillë do ta përsërisin edhe në mandatin e ri të parlamentit të Spanjës, duke sqaruar se “Junts për Catalunya” s’janë pjesë e kabinitetit qeveritar por që vetë do ta përkrahin Qeverinë e Sanchez nga jashtë dhe se s’kanë kapacitet për të vendosur për çështjen e njohjes së Kosovës nga Spanja.

“Si shef i stafit  të tij, mund t’ju them se ne gjithmonë e kemi ndjekur me shumë interes çështjen e Kosovës dhe gjithmonë kemi kërkuar nga qeveria spanjolle që ta njohë plotësisht Kosovën dhe një komb të pavarur. Në këtë mandat të ri parlamentar, ne do të insistojmë edhe një herë që Spanja të njohë Kosovën, por më lejoni të them se partia politike e Presidentit, Junts per Catalunya, nuk është pjesë e kabinetit spanjoll. Ne i japim mbështetje kësaj Qeverie vetëm nga jashtë dhe nuk kemi kapacitet të vendosim për çështjen e njohjes së Kosovës nga Spanja”, ka thënë Alay.

Për mundësinë e ndryshimit të pozicionit të Spanjës ndaj Kosovës shkaku i kataluansve, express gjatë muajit nëntor ka biseduar edhe me analistin politik, Alejandro Esteso Perez, i cili e njeh rajonin dhe është pjesë e “Balkans in Europe Policy Advisory Group”..

Perez ishte shprehur skeptik se Kosova do të ishte çështje prioritare e katalunasve, meqë sipas tij rasti i Kosovës është përdorur nga ta më shumë si një rast apo përvojë mbi të cilën katalunasit kanë argumentuar të drejtën e tyre për pavarësi sesa si një qëllim në vetvete për të përkrahur hapur njohjen e Kosovës.

“Mendoj se çështja e Kosovës ka qenë një kartë madhore për partitë katalane pro-pavarësisë. Por është e nevojshme të theksohet se Kosova është përdorur më së shumti si një mjet, si një “studim rasti”, d.m.th., si një shembull i një përvoje të fundit të pavarësisë/shkëputjes, në të cilën mund të bazohej përvoja katalane (Sllovenia u përdor gjithashtu si një rast studimor), dhe jo aq si një qëllim në vetvete apo si një rast për të mbështetur haptazi njohjen e Kosovës. Në këtë kontekst, nuk mendoj se është ndër prioritetet e Junts të kërkojë njohjen e Kosovës kur ajo ka shumë çështje më kritike për të negociuar me qeverinë (p.sh. zbatimin e Ligjit të ardhshëm për Amnistinë që përfshin shumë renditja e figurave të Junts)”, kishte thënë Perez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat