AAK-ja mblidhet sot, do të diskutohet versioni i draft-statutit për Asociacionin që e pranoi nga BE-ja

Aktuale

AAK-ja mblidhet sot, do të diskutohet versioni i draft-statutit për Asociacionin që e pranoi nga BE-ja

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 07:19
Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nesër, e enjte, do të mbajë mbledhjen e Kryesisë për të diskutuar për versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pranuar nga Bashkimi Evropian.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Partia Dmeokratike kanë konfirmuar javën e kaluar për Gazetën Online Reporeti.net se zyrtarisht kanë pranuar nga Bashkimi Evropian një kopje në gjuhën angleze të draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka pranuar versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të njëjtin ua kemi shpërndarë antarëve të Kryesisë, nga të cilët është kërkuar që të bëjnë komentet e tyre. Diskutimi për këtë temë do të mbahet të enjten 7 dhjetor në ora 17:00. Pas komenteve të antarëve të Kryesisë, AAK do të dal me qëndrim publik në lidhje me këtë dokument. Para kësaj date nuk do të prononcohemi për këtë temë”, tha Kushtrim Xhemajli, zëdhënës në AAK.

Mediat kane siguruar dokumentin zyrtar të draft-statutit për Asociacionin që iu dorëzua krerëve të shtetit dhe partive opozitare në Kosovë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i pari që publikisht ka thënë se e ka parë draft-statutin për Asociacionin, ndonëse dy partitë tjera opozitare e patën mohuar që e kanë parë atë.

“Patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, pra që ta lexojmë në tërësi”. Kjo ishte deklarata e kryetarit të subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat