Vrasja e Liridona Ademajt, ish-eprori i Policisë thotë se ka prova të mjaftueshme se kush mund të jetë kryesi i veprës penale

Aktuale

Vrasja e Liridona Ademajt, ish-eprori i Policisë thotë se ka prova të mjaftueshme se kush mund të jetë kryesi i veprës penale

Më: 26 janar 2024 Në ora: 19:07
Liridona Murseli dhe Naim Murseli

Liridona Ademaj-Murseli, 30-vjeçare, është vrarë më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Lidhur me këtë rast kanë folur ish-eprori i Policisë së Kosovës, Refki Morina dhe avokati, Shkëlqim Jakupi.

Morina ka potencuar se aktualisht rasti i vrasjes tragjike të Liridona Ademaj është duke u shoshitur në gjykatë dhe se Policia e Prokuroria kanë fakte e prova të mjaftueshme për të argumentuar që ai është kryesi i veprës.

”Lënda ka shkuar në gjykatë dhe kjo është duke e shoshitë rastin. Faktet, dëshmitë, dëshmitarët edhe i pandehuri por edhe personi që akuzohet deklarohen në gjykatë, por edhe personat e tjerë do të thonë fjalën e tyre. Shumicën e herave kryesit e veprave penale nuk e pranojnë fajin, mundohen t’i ikin përgjegjësisë penale. Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë prova të mjaftueshme dhe fakte që argumentojnë që ai mund të jetë kryesi i veprës penale”, ka thënë Morina, për RTV Dukagjini.

Ndërsa, avokati Shkëlqim Jakupi ka thënë se procuderalisht prokuroria është brenda afatit dhe sipas tij ‘prokuroria ka afat deri në dy vite por mundet edhe një vit shtesë nëse ka arsyetim për zgjatje të afatit.

”Prokuroria ka afat deri në dy vite, por mundet edhe një vit shtesë të marrë nëse ka arsyetim për zgjatje të afatit nga Prokuroria. Dhe kemi të bëjmë me një rast që ka peshë tejet të rëndë. Dhe përcaktimi i dënimeve për këto vepra penale siç është Vrasje e rëndë, shkon minimumi prej dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm. Prandaj edhe prokuroria ka një kujdes të veçantë në raste të tilla, për të mos lejuar asnjë lëshim të mundshëm procuderal i cili do të mund të ndikonte edhe në kreditibilitetin e procedurës penale duke përfshirë edhe shqyrtimin gjyqësor deri te përcaktimi i vendimit në aktgjykimin e Gjykatës kompetente”, ka thënë Jakupi.

Sa i përket rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, avokati Jakupi ka theksuar se prokuroria nuk ka probleme lidhur me faktin dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale por përcaktimin dhe gjetjen apo zbulimin e motivit që ka quar deri në aktin e kryer.

”Rasti në fjalë, Prokuroria nuk ka shumë probleme për faktin e kryerjes së veprës penale dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale. Por Prokurorinë dhe vet Sistemin e Drejtësisë është me shumë rëndësi përcaktimi dhe gjetja, zbulimi e motivit, qëllimi i kësaj vepre penale, për shkak të qarkullimit të lajmeve, fjalëve dhe raportimi i mediave. Supozojmë, nëse vepra penale ndërlidhet me përfitimin e dobisë pasurore ose supozojmë me mbulimin e veprës tjetër penale”, ka theksuar Jakupi.

Morina ka shtuar se ka raste të ndryshme që kryesi i veprës së ndryshme mund edhe të mos e ketë bërë atë, për qëllime të ndryshme por që Prokuroria dhe Policia kanë arritur të zbardhin kryesin e saktë të veprës dhe motivin kryesor.

”Policia e Kosovës duhet me efikasitet të kryej punët e veta. Sikurse Policia ashtu edhe Prokuroria duhet të gjej motivin që ka dërguar deri tek vrasja. Ka raste që kryesi ka pranuar veprën, për shembull unë e kam kryer këtë. Ka rast që ka pranuar veprën penale dhunim dhe gjatë shoshitjes së fakteve ka dalur se nuk e ka kryer ai aktin por vëllai. Sepse vëllai i tij ka qenë bartës i familjes por që është marrë vesh me vëllanë që ky me vuajtur dënimin dhe me pranu fajësinë dhe vëllai me punu dhe me mbajtë familjen”, ka thënë Morina.

Naim Murselit, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj, është intervistuar të mërkurën në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, ka theksuar se Murseli ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes.

“Sot para Prokurorisë Themelore- departamenti për Krime te Renda, në cilësinë e të pandehurit është dëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtim të veprës penale ‘Vrasje e Rëndë’ në bashkëkryerje nga neni 173 par 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe i pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale”.

“Në të ardhmen kanë mbetur të dëgjohen edhe dëshmitarët e tjerë dhe pas dëgjimit të tyre do t’ju informojmë lidhur me rrjedhën e procedurës dhe përmbajtjen e deponimeve të tyre”, ka thënë Zhinipotoku.

Murselit dhe dy të tjerët, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, gjenden në masën e paraburgimit nën dyshimet për vrasjen e Liridona Ademajt.

Murseli, për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Plava për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe Kokalla për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor të viti të kaluar në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat