Pas përfundimit të takimit, Lajçak tregon çka bisedoi me liderët e vendit - përmend edhe dinarin

Aktuale

Pas përfundimit të takimit, Lajçak tregon çka bisedoi me liderët e vendit - përmend edhe dinarin

Nga: Bota sot Më: 30 janar 2024 Në ora: 07:05 Përditësuar në ora: 18:34 më 30.01.2024
Miroslav Lajçak

Lajçak pas takimit me Kurtin: Folëm për dinarin – s’ka hetime të BE-së për Banjskën

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se gjatë takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin, kanë folur edhe për vendimin e BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Lajçak po ashtu bëri të ditur se gjatë takimit u fol edhe për agresionin e Serbisë të 24 shtatorit, teksa tha se për sulmin terrorist, përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.

“E kemi përmendur këtë çështje në lidhje me vendimin e BQK-së por nuk dua të veprojë si zëdhënës i qeverisë. Nesër do të kuptoni më shumë për këtë”.

“Sulmi i Bajnkës diskutohet në çdo takim prej se ka ndodhur dhe e kam ngritur edhe dje në Beograd sepse natyrisht, publiku evropian dhe shtetet anëtare të BE-së presion pasojat dhe personat përgjegjës të sillen para drejtësisë”, tha Lajçak.

Ai foli edhe për hetimet që po kryhen për sa i përket agresionit të 24 shtatorit, duke thënë se Bashkimi Evropian nuk është duke kryer hetime por vetëm po merr informata.

“Kur flasim për hetimet, unë nuk jam adresa e duhur pasi nuk ka hetime që udhëhiqen nga BE-ja, por vendet janë duke i bërë hetimet e veta. Bashkimi Evropian nuk po bën hetime por vetëm po merr informata nga partnerët”, tha Lajçak.

Lajçak: Komentet e Kurtit dhe Bislimit do t’i dërgoj te Shtetet Anëtare

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka treguar se çfarë ka folur me liderët e vendit gjatë vizitës së tij të sotshme në Kosovë.

Ai ka thënë se fokusi i BE-së muajt e ardhshëm do të jetë në zgjedhjet atje dhe se për këtë ka ardhur të vizitojë Kosovën që të dihet se sa shumë progres mund të bëhet në procesin e dialogut.

Për të diskutuar dhe sa proges mund të arrijmë para se Evropa të futet në zgjedhje,  e dini se falë dialogut kemi pasë rezultate të rëndësishme në fund të vitit të kaluar marrëveshja për energjinë, po ashtu edhe njohjen e targave dhe përfundimin e regjimit të tiketave për targa, por kishim një përparim të vogël sa i përket normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.

Lajçak ka thënë se pyetja e vetme që duhet të bëhet tani për Marrëveshjen e Ohrit është se kur duhet të fillojë zbatimi i saj.

“Kishim një marrëveshje nga shkurti-marsi i vitit të kaluar që i bie se më nuk duhet të jetë pyetja se çfarë apo si duhet të bëhet, sipas meje, pyetja është se kur duhet të fillojë zbatimi i saj, natyrisht kur më pyesi mua them të fillojmë sa më shpejtë të fillojmë pa vonesa”, ka thënë Lajçak.

Ndër tjera, ai ka shtuar se çfarë është biseduar me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, do ta analizojë dhe do t’ua dërgojë shteteve anëtare të BE-së.

Përfundojnë takimet e Lajçakut me Kurtin e Bislimin

Kanë përfunduar takimet në mes të emisarit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, me kryeministrin, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

Pas takimit te përbashkët me Kurtin dhe Bislimin, Lajçak ka takuar ndaras zëvendëskryeministrin Bislimi.

Edhe takimi i ndarë më të ka përfunduar, pasi Bislimi është parë duke u larguar nga Qeveria.

Mirëpo, Lajçak është ende brenda objektit te ekzekutivit.

Osmani nga takimi me Lajçakun: Masat e BE-së të hiqen, mungesë ekuilibri

Presidentja Vjosa Osmani gjatë takimit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi ka theksuar zbatimin e plotë të marrëveshjeve si ai i Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni”, thuhet në njoftim.

Osmani gjithashtu ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

“Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Sipas njoftimit, gjatë takimit janë përshëndetur marrëveshja për energji dhe ajo për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ndërkaq tutje thuhet se presidentja ka theksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm interpretativ i draftit të statutit të Asociacionit.

​Lajçak mbërrin në Qeveri, pritet të takohet me Kurtin

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani ka mbërritur në qeverinë e Kosovës, për t'u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Nga Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme kanë thënë se ky takim është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të vazhdueshëm të Lajçak me partnerët për t’i ndihmuar të ecin përpara në Dialog.

“Kjo është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t’i ndihmuar ata të ecin përpara në procesin e Dialogut të lehtësuar nga BE”, tha zëdhënësi Peter Stano.

​Lajçak arrin në Presidencë, fillon takimin me Osmanin

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimi ka filluar në orën 14:00, ndërsa mediave iu lejua të marrin vetëm pamje.

Pas takimit me Osmanin, Lajçak do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti nga ora 15:00.

-------

Ende nuk ka konfirmim nëse do mbahet një takim në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur rreth takimit që ka zhvilluar dje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një postim në X, Lajçak ka thënë se me Vuçiqin ka folur për situatën aktuale në dialog.

Sipas tij, pjesë e diskutimit kanë qenë edhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

"Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar ai.

Kurse, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq takimin me Lajçakun e ka vlerësuar si konstruktiv dhe shumë korrekt.

“Vura në dukje domosdoshmërinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e BE-së në ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina. Ritheksova gatishmërinë e Republikës së Serbisë për të përmbushur detyrimet e saj, në përputhje me marrëveshjet ligjore ndërkombëtare, duke respektuar Kushtetutën e Republikës Serbe dhe Kartën e OKB-së”, ka shkruar në Vuçiq në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat