“Kjo gjë i shërben edhe njohjes së Kosovës”, reagon profesori: Në këtë pikë Armando Duka po mashtron pa droje!

Aktuale

“Kjo gjë i shërben edhe njohjes së Kosovës”, reagon profesori: Në këtë pikë Armando Duka po mashtron pa droje!

Nga: A.SH Më: 27 maj 2024 Në ora: 19:43
Armando Duka dhe Edi Rama

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh zëvendës-president i UEFA-s, foli për aplikimin e Shqipërisë për organizmin e Evropianit 2027 për U-21 së bashku me Serbinë, duke theksuar se diçka e tillë ka për t’i shërbyer edhe Kosovës.

“Organizimi i Europianit U-21 është diçka e madhe dhe shanset për të fituar të vetëm këtë organizimi për të thënë të drejtën ishin të vogla. Organizimi i Europianit U-21 është me interes për vendin, pasi e fusim Shqipërinë në hartën e vendeve që organizojnë më së mirë. Vetëm futbolli të japë mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi, kjo gjë i shërben edhe njohjes së Kosovës”, deklaroi Duka.

Pas kësaj deklarate ka reaguar profesori Enver Bytyçi, i cili ka thënë, se Duka foli me gjuhn e një politikani.

Sipas tij, “ky kandidim nuk është interes kombëtar i Shqipërisë, as i shqiptarëve në Ballkan. Aq më pak i Kosovës dhe në këtë pikë Armando Duka mashtron pa droje!”

Postimi në Facebook:

A është interes kombëtar kandidimi me Serbinë për kampionatin e 2027-ës, siç thotë Armando Duka!

Kam përshtypjen se zoti Duka foli sot me gjuhën e kryeministrit Rama. Pra edhe se po bën politikë. Sepse kur flet me gjuhën e një politikani, sidomos të një politikani mashtrues, atëherë bën dyfish politikë.

Ky kandidim nuk është interes kombëtar i Shqipërisë, as i shqiptarëve në Ballkan. Aq më pak i Kosovës dhe në këtë pikë Armando Duka mashtron pa droje! Si qenka interes i Kosovës që Shqipëria e Serbia - armike e betuar e Kosovës - të bëhen bashkë në një event të tillë?! A ka arsye njerëzore, a ka ndonjë mendje racionale, a ka logjikë që ta përligj një arsyetim?!

Jo i dashur Duka! Bëhu i sinqertë dhe thuaj se këtë kandidim ta imponoi kryeministri i Shqipërisë në shenjë miqësie me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq! Së paku mos i merrni shqiptarët për dele, edhe pse ashtu i duken naltgjatësisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat