Tensione e lëshim i sallës, Konjufca mbyll seancën e Kuvendit

Aktuale

Tensione e lëshim i sallës, Konjufca mbyll seancën e Kuvendit

Nga: Bota sot Më: 27 qershor 2024 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 14:14 më 27.06.2024
Glauk Konjufca

​S’ka kuorum, nuk vazhdon seanca plenare

Në mungesë kuorumi, nuk është vazhduar seanca plenare. Të pranishëm në sallën alternative ku është mbajtur seanca e sotme, kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Paraprakisht, deputetët e partive opozitare kanë lëshuar sallën plenare meqë nuk është mbështetur kërkesa për tërheqjen e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionit të Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kjo seancë do të vazhdohet javën e ardhshme.

“Siç duket nuk do ta kemi kuorumin për sot, kështu që këtë seancë e vazhdojmë javën e ardhshme”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.

Në seancën e sotme plenare ishin paraparë mbi 30 pika të rendit të ditës

Opozita lëshon sallën në shenjë proteste, kjo është arsyeja

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë lëshuar sallën ku po mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk kaluar porozitet e tyre që të heqin nga rendi i ditës dhe të kthehen në komisione tri projektligjet e kontestuara nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e mediave.

Bëhet fjalë për projektligjin për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe atë për Këshillin Prokurorial.

Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjimin për tre projektligje që janë planifikuar për leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës të enjten, duke deklaruar se draftet nuk kanë përfshirë rekomandimet që synojnë përputhjen e tyre me standardet evropiane dhe praktikat më të mira.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kundër propozimit të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj për heqjen nga pika e rendit të ditës të projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili theksoi se është kundër rekomandimeve të Bashkimit Evropian.

Pas këtij votimi kundër të 50 deputetëve, Selmanaj tha se LDK e sheh të paarsyeshme që të jetë pjesë e një seance ku votohet kundër rrugës integruese të Kosovës në BE.

“LDK e sheh të panevojshme që të jetë e kësaj katrahure për vendin që dikush voton kundër standardeve të BE-së”, tha ai.

LDK-ja kërkon që Projektligji për KPK-në të kthehet në Komisionin e Venecias, VV-ja kundër

Kuvendi i Kosovës ka refuzuar kërkesën e deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës të kthehet të Komisioni i Venecias, ashtu siç ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian.

Kërkesa e deputetit të LDK-së është refuzuar me 47 vota kundër, 27 për dhe 4 abstenime.

“Ligjin për KPK e kam letrën e BE-së, ku shpreh shqetësimi që të rikthehet në Komisionin e Venecias që të shihet a i ka plotësuar kërkesat e tyre”, ka thënë Selmanaj.

Ndaj kërkesës së Selmanaj ka abstenuar edhe kryeparlamenari Glauk Konjufca, ndërsa është përkrahur vetëm nga partitë opozitare.

“Po doni me eliminu presidenten prej krejt këtyre kompetencave”, Berisha akuzon pushtetin për një Projektligj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Bekë Berisha ka akuzuar deputetin e VV’së, Enver Dugolli, pasi siç tha ai ka kontrabanduar dhe propozuar propozim- amandamente që nuk kanë qenë rezultat të grupit punues.

Ai tha se ato propozim- amandamente janë rezultat i një rrethi të ngushtë të Dugollit.

“Sot e kemi Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i cili ka një vit që është në procedurë në shqyrtim në Komisionin e Sigurisë por qëllimisht shqyrtimi i tij e ka kaluar çdo limit kohor dhe kjo është bërë qëllimshëm nga kryesuesi i grupit punues, deputeti z. Enver Dugolli, të cilit ia kemi dhënë në mirëbesim me udhëheqë këtë grup. Po ashtu, nga Ambasada Amerikane është konfirmuar se përmbajtja e Projektligjit të miratuar në qeveri është në dakordim të plotë me ta si ligj fillimisht. Ndërsa, në anën tjetër z. Dugolli në mënyrë klandestine ka kontrabanduar dhe propozuar propozim-amandamente të cilat nuk janë rezultat i grupit punues por një rezultat i një rrethi të tij të brendshëm aty që edhe atë e dimë”, tha Bekë Berisha.

“Amandamenti nr. 10 ku bëhet fjalë për inspektim të kësaj agjencie, ky amandament bën që të humbë kuptimi i vet agjencisë, inspektimi i AISM nuk duhet të kryhet nga inspektori i përgjithshëm i FSK’së por nga inspektori i përgjithshëm i kësaj agjencie. Amandamenti 32 është propozuar të ulet grada e drejtorit të agjencisë nga ajo e gjeneralit në atë të kolonelit. Kjo nuk duhet të ndodhë sepse në njërën anë po avancohet drejtoria aktuale për Inteligjencë dhe Siguri në MPB dhe po bëhet agjenci për Inteligjencë dhe Siguri të Mbrojtjes në anën tjetër po degradohet grada e udhëheqësit të kësaj agjencie nga ajo e gjeneralit në kolonel.”

“Mbase për të emëruar dikë që është i preferuar i pushtetit për të marrë kontroll edhe në këtë agjenci”, tha ai.

Dikush e pengoi atë derisa po fliste dhe iu përgjigj duke i thënë “prit veç pak se niherë duhet me tregu qëllimet e juaja tani votojmë”.

“Po doni me eliminu presidenten prej krejt këtyre kompetencave edhe me lëshu në gradë më të ulët që deri te kryeministri, që keni probleme ndër vete aty”, tha ai.

Pasi e siguruan mandatin, Lista serbe lëshon seancën plenare

Deputetët e Listës serbe të cilët u paraqitën për herë të parë në Kuvend pas më shumë se pesë muajve, kishin një synim, mosdjegien e mandateve.

Ata, menjëherë e kanë lëshuar sallën e Kuvendi vetëm pesë minuta sapo ajo kishte filluar.

Mungesa e tyre në Kuvend shpesh ka qenë cak i diskutimeve se nuk përfaqësojnë e nuk përçojnë interesat e qytetarëve serbë në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, pika 5, mandati i deputetit përfundon kur mungon gjashtë muaj rresht në seancat e Kuvendit.

Selmanaj për sallën alternative: Herën e parë u shfrytëzua për gazin lotsjellës, sot për t’ia vazhduar mandatin Listës serbe

Sot seanca plenare është duke u mbajtur në një sallë alternative pasi ajo e zakonshmja është duke u rinovuar. Në këtë sallë u panë edhe deputetët e Listës Serbe pasi iu rrezikohet mandati i deputetit.

Deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj, tha se në historinë e parlamentarizmit do të mbahet mend që seanca plenare është mbajtur në atë sallë.

Sipas Selmanajt hera e parë ishte për shkak të gazit lotsjellës ndërsa hera e dytë është sot.

Ai shtoi se kjo u bë që deputetët e Listës Serbe mos t’i humbin mandatet.

“Në memoaret historinë e parlamentarizmit tonë do të mbahet mend që dy herë kjo sallë është shfrytëzuar për të mbajtur seancë plenare. Rasti i parë është për gazin lotsjellës dhe rasti i dytë është për t’ia vazhduar Listës Serbe mandatet sepse rrezikonin që t’i humbnin mandatet”, tha Selmanaj.

Pas kësaj deklarate filloi zhurmë në sallë e më pas kryetari Glauk Konjufca kërkoi që të mbahet qetësia.

Kthehet në Komision për rishqyrtim Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes

Me 69 vota për, 4 kundër dhe asnjë abstenim është miratuar mocioni i kryetarit të Komisionit për Siguri, njëherësh deputeti i AAK-së, Bekë Berisha që të kthehet në Komision Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Berisha gjatë fjalës së tij ka akuzuar anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në këtë komision, Enver Dugolli, duke thënë se “në mënyrë klandestine ka kontrabanduar” me Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Berisha kërkoi që të kthehet neni 1.1 dhe të tërhiqet në plotni nga sponzorizuesi ky projektligj.

“Nuk e  di se ku i keni qëllimet, veç me i kap”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, shefja e grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila kërkoi që projektligji të kthehet në komision, duke kundërshtuar pretendimet e Berishës.

“…propozojmë që ky projektligj të kthehet në komision”, ka thënë Kusari-Lila.

Nga PDK, deputeti Rashit Qalaj tha që ky projektligj të tërhiqet nga sponzorizuesi dhe të kthehet sërish në Komisionin për Siguri.

“Të tërhiqet nga sponzorizuesi për shkak të shumë çështjeve që janë devijuar rruhgës nga ligji përfundimtar. Qëndrojnë ato që thotë berisha pasi vërehtet shumë lehtë qëë stë një konflikt në mes të dy institucioneve të vendit dhe për mua nuk është me rëndësi sot…”, ka thënë Qalaj.

Edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni kërkoi që të të tërhiqet në tërësi ky projektligj edhe nga sponsorizuesi.

“Me ministri të Mbrojtjes funksionojnë katër drejtori dhe janë nën varësi të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtje. Tash me Projektligjin për Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ideja është që të avancojë në Agjencion. E me këtë avancim janë politika të veçanta. D.m.th rritet roli i drejtorisë së Inteligjencës tek Agjencioni. Me rritjen e përgjegjësisë së organizatës ulet grada e atij që do të udhëheq Agjencionin”, ka thënë Qalaj.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës ftoi edhe Listën serbe që të marrin fjalën, mirëpo të njëjtin refuzuan.

“Ftoj edhe Listën serbe që të marrë fjalën, pasi pas gjashtë muajsh jeni në seancë. E mendova seriozisht”, tha Hoxhaj.

Për shkak të punimeve, seanca plenare e Kuvendit mbahet në një sallë tjetër

Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite janë 32 pika.

Mirëpo kjo seancë sot nuk po mbahet në sallën e zakonshme.

Ajo po mbahet në një sallë tjetër.

Për shkak të renovimeve që janë duke u bërë aty.

Mandatet në rrezik, deputetët e Listës Serbe rikthehen në seancë

Deputetët e Listës Serbe kanë ardhur në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës. Para fillimit të seancës plenare, e cila po mbahet në sallën alternative, të njëjtit shihen duke u nënshkruar në listën e pjesëmarrjes. Hera e fundit që ata u paraqiten në sallë plenare ishte më 8 shkurt. Të njëjtit kanë marrë mandatet e tyre në nëntor të vitit 2022, kur paraardhësit e tyre dhanë dorëheqje.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe një deputet i pavarur serbë vijnë në seanca plenare vetëm një herë në gjashtë muaj dhe pas nënshkrimit nuk qëndrojnë në sallë plenare.

Kp ka raportuar se vlera e pagave të dhjetë deputetëve serb është mbi 300 mijë euro.

Këta deputetë nuk kanë pasur asnjë deklaratë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë përfaqësues në asnjë nga komisionet, nuk kanë grup parlamentar. Kryesia është në mungesë të një nënkryetari nga radhët e këtij komuniteti.

Kuvendi sot mban seancë, në rend dite 32 pika

Kuvendi i Kosovës sot me fillim do ta mbajë seancën e radhës plenare.

Sipas agjendës, deputetët do t’i trajtojnë 32 pika, në mesin e tyre edhe votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar.

Gjithashtu parashihet të ketë edhe votime të tjera si: votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”; votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të DASH-it, Projekt-Deklarata për raportet e Kosovës me ShBA-në.

Kjo seancë pritet të fillojë nga ora 10:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat