Vazhdojnë sanimet në urën e Ibrit, përcillen me reagime

Aktuale

Vazhdojnë sanimet në urën e Ibrit, përcillen me reagime

Më: 14 gusht 2024 Në ora: 20:28
Ura e Ibrit, Mitrovicë

Tash e një javë kanë nisur punimet rreth sanimeve në urën e lumit Ibër në Mitrovicë. Derisa po punohet në riparimin e mureve në konstruksionin e lumit Ibër, forcat e sigurisë po kujdesen për rendin.

Më shumë lëvizje të Karabinierëve, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, u panë të mërkurën në urë ndërsa po punohet për finalizimin e riparimeve në urë.

Për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë edhe gjatë ditës ka pasur reagime.

Zv/ kryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Bashkimi Evropian po e kërcënon Kosovën në rast se ajo zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe rekomandimet shtesë, teksa tha se besojnë fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive të ndryshme.

“Për më tepër, plani implementues i BE-së i datës 5 gusht 2016, e konsideron hapjen e urës si “Simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”. Raporti për Vendin i vitit 2020 nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, nxjerr konkluzionin si në vijim: Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Ky është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë” ka thënë zv kryeministri Bislimi.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorh Rohde, ka thënë se këshillat e ndërkombëtarëve duhet të merren parasysh dhe se nevojitet de-përshkallëzimi i retorikës teksa shkoi se mbështet plotësisht NATO-n dhe linjat e tyre të kuqe për urën në Mitrovicë. Veprimet e njëanshme të vitit të kaluar kanë rezultuar me plagosje të ushtarëve të KFOR-it dhe civilëve, dhe kjo nuk duhet të përsëritet. Duhet të merret parasysh këshilla e ndërkombëtarëve. Nevojitet de-përshkallëzimi i retorikës, mirëpres koordinimin”.

Por për hapjen e urës Nexhat Uglanjin, kryesues i kuvendit komunal në veri, tha se bashkësia ndërkombëtare në vendet e tyre përkrah lëvizjen e lirë, teksa tha se për urën e Ibrit duhet të ecin një hapë përpara.

"Mendoj që ura duhet të hapet në mënyrë paqësore dhe demokratike dhe mënyra më e mirë do të ishte që bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe të EULEX-it itë ecin një hap përpara drejtë vlerave të solidaritetit nga vendet të cilat vijnë e që janë vende demokratike", tha Ugljanin.

E zv/kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, Skendër Sadiku, tha se ura duhet të hapet për të gjithë qytetarët, pa dallim, sipas tij për këtë fakt duhet të bindet edhe komunitetit serb.

"Kërkoj që këto dy ekstreme të përfarohen. Kuminiteti serb po shfaqin frikë, por ne duhet të bindin komunitetin shumicë serb që janë në komuna veriore që një e drejtë universale ju takon edhe atyre”, tha Sadiku.

Por, për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim ende  nuk ka ndonjë datë. KFOR-i ka përsëritur se misioni është i pranishëm në gjithë vendin dhe paralajmëron se komandanti nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të zhvillimeve të sigurisë. KFOR-i shton se çdo vendim për urën e Ibrit duhet të vijë përmes dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat