Situatë e qetë në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, flet Elshani

Aktuale

Situatë e qetë në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, flet Elshani

Më: 7 shtator 2024 Në ora: 08:47
Veton Elshani

Ani pse pikat kufitare në Merdarë dhe Bërnjak janë mbyllur nga protestuesit serbë, si dhe në Jarinje vazhdon bllokada për qytetarët me dokumente të Kosovës, situata cilësohet të jetë e qetë.

Kështu të paktën tha zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Situata është e qetë, nuk ka pasur ndonjë incident”, tha Elshani.

Serbët po protestojnë mëtanë kufijve të Kosovës, pra në territorin e Serbisë, dhe kërkojnë që Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu, e KFOR-i ta marr në mbikëqyrje.

Pas bllokimit të pikave kufitare, ka reaguar dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mos përshkallëzohet situate më tutje.

“Ne i bëjmë thirrje urgjentisht ShBA-së, Turqisë, Gjermanisë, Francës dhe NATO-s që të ndërhyjnë për të parandaluar Vuçiqin nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës”, është shprehur Gërvalla.

Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar pas ndodhive të fundit në veri.

“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”, u shpreh Sveçla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat