Në kuadër të vizitës zyrtare në Kolumbi, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi është pritur sot në takim nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme Jorge Enrique Rojas, me të cilin ka diskutuar mbi bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe hapjen e Ambasadës së Kosovës në Bogota.
Zëvendësministrja Gashi theksoi nevojën për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Po ashtu, u propozuan dhe u iniciuan marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet akademive diplomatike të të dyja vendeve, konsultimet politike dhe liberalizimi i vizave ndërmjet Kosovës dhe Kolumbisë. Këto marrëveshje, pas shqyrtimit dhe ndjekjes së procedurave të nevojshme, pritet të nënshkruhen nga të dyja palët.
Zëvendësministri Rojas shprehu gatishmërinë e Kolumbisë që t'i zgjerojë më tej marrëdhëniet e mira mes dy vendeve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe intensifikimit të shkëmbimeve diplomatike.
Ndryshe, kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë, pasi është vizita e parë zyrtare dhe po zhvillohet në prag të hapjes së Ambasadës së Kosovës në Bogota, e cila do t'i forcojë më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat.