Një vit pa biseduar

Aktuale

Një vit pa biseduar

Më: 12 shtator 2024 Në ora: 16:09
Fotografi nga takimi i zhvilluar shtatorin e kaluar në Bruksel.

Ka një vit që nuk janë ulur përballë njëri-tjetrit, ndonëse pro bisedimeve shprehen të dy.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023.

Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.

Një përpjekje e Bashkimit Evropian për t’i ulur bashkë në tryezë, në muajin qershor, ka dështuar, për shkak të, siç është thënë, disa kushteve që ka nxjerrë Kurti, e që Vuçiq i ka kundërshtuar.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse po shqyrtohet mundësia e ndonjë takimi mes Kurtit e Vuçiqit, por nuk mori përgjigje.

Vetë kryeministri u pyet për një mundësi të tillë edhe nga gazetarët, gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut më 10 shtator, por tha se “nuk e di nëse do të ketë takim”.

“Edhe nëse do të ketë, nuk e di se kur dhe cilat do të jenë temat. Duhet të dimë më shumë për të dhënë një përgjigje”, tha Kurti.

Në të njëjtën ditë në Beograd, Vuçiq u tha gazetarëve se “Serbia është gjithmonë për dialog” dhe u shpreh “i gatshëm të shkojë të bisedojë me Kurtin që sot”.

Politika e brendshme - prioritet

Analisti i çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se, në rrethanat aktuale, një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit mund të ndodhë vetëm nëse ata konsiderojnë se përfitojnë për politikat e tyre të brendshme.

Sipas tij, ka një varg çështjesh që mund ta nxisin takimin e tillë, përfshirë këtu aktakuzën që ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator për sulmin në Banjskë apo çështjen e urës së Ibrit.

“Megjithatë, ky do të ishte më shumë një takim për menaxhim krize - siç kanë qenë takimet në këta dy-tre vjetët e fundit - sesa për të ecur përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazë [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi]”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Kjo marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk është zbatuar dhe palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mosangazhim.

Kemi një marrëveshje që duhet të zbatohet, tha Kurti më 10 shtator.

Vitin e kaluar, kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, i dërgoi një letër BE-së, ku shprehu rezerva për këtë marrëveshje.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha më 6 shtator se Serbia e ka tërhequr këtë letër. Por, me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të merrte një konfirmim për këtë nga Qeveria e Serbisë.

Jo para zgjedhjeve

“Takime për zbatim të Marrëveshjes Bazë - unë dyshoj se mund të ketë diçka me përmbajtje përpara zgjedhjeve në SHBA dhe zgjedhjeve në Kosovë”, thotë Maliqi.

Presidencialet në SHBA mbahen në nëntor, ndërsa parlamentaret në Kosovë në shkurt të vitit të ardhshëm.

Maliqi thotë se Kurti do të jetë mjaft i kujdesshëm që një takim i mundshëm me Vuçiqin të mos i ndikojë negativisht në fazën aktuale parazgjedhore.

Mendim të ngjashëm shpreh edhe politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq.

Në një të ardhme të afërt, sipas tij, takimi do të ndodhte vetëm sa për të mbajtur gjallë frymën e dialogut.

“Unë mendoj se në BE ka gjithmonë gatishmëri dhe dëshirë për mbajtjen e takimeve Vuçiq-Kurti, sepse ato duken bukur për diplomacinë evropiane”, thotë Gogiq, por shprehet skeptik për ndonjë rezultat.

Sipas tij, vetëm në rast se Serbia do të pranonte të diskutonte për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, Kurti dhe Vuçiq do të gjendeshin së shpejti përballë njëri-tjetrit në tavolinën e bisedimeve.

“...por, Serbia nuk do ta bëj këtë, sepse nuk i konvenon marrëveshja, pavarësisht se e ka pranuar”, thotë ai.

Si Maliqi, ashtu edhe Gogiq, një pjesë të përgjegjësisë për këtë ngërç në dialog ia hedhin vetë BE-së si ndërmjetësuese të procesit.

Sipas tyre, ajo nuk i ka shfrytëzuar mekanizmat e “shpërblimit dhe dënimit” për palët.

BE-ja vazhdimisht u kërkon atyre që çështjet e hapura t’i zgjidhin me dialog.

Përderisa një takim i ri mes Kurtit e Vuçiqit nuk duket në horizont, Lajçak tha javën e kaluar se është arritur pajtim për një rund të ri bisedimesh midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, por datë specifike nuk dha.

Si qëndron situata aktualisht?

Kosova është në qendër të kritikave nga bashkësia ndërkombëtare, për shkak të disa hapave që ajo i konsideron të njëanshëm dhe të pakoordinuar në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Në fund të gushtit, autoritetet kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe atje, me arsyetimin se kanë vepruar jashtë ligjeve të Kosovës, ndërsa kanë paralajmëruar edhe hapjen për qarkullimin e makinave të urës së Ibrit, e cila ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe veriun e banuar me shumicë serbe.

Edhe pse ka marrëveshje si për urën, ashtu edhe për strukturat paralele, të arritura në Bruksel, aleatët perëndimorë i kërkojnë Kosovës që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut.

Kurti këmbëngul se Qeveria e tij është duke shtrirë rendin dhe ligjin në veri, ku që nga paslufta më 1999 kanë vepruar struktura të Serbisë.

Kur nuk ka pranuar të takohet me Vuçiqin në muajin qershor, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë bisedime me të derisa nuk plotësohen tri kërkesa: nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës së Bërnabiqit dhe dorëzimi në Kosovë i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

Derisa për letrën ka njoftime se është tërhequr, rreth dy kërkesave të tjera, deri më tash, nuk ka asnjë zhvillim.

Vuçiq paralajmëroi për datën 13 shtator një adresim para opinionit në lidhje me kërkesat e Serbisë dhe veprimet e Kosovës në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat