Çitaku: Javën e ardhshme nisim iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara

Aktuale

Çitaku: Javën e ardhshme nisim iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 15:05
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së Vlora Çitaku

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është dakorduar me kryeministrin Albin Kurti për nisjen e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, e cila pritet të vazhdojë javën e ardhshme.

Në një konferencë për media pas takimit me Kurtin, Çitaku ka thënë se bazë për projektligjin do të jetë teksti i miratuar në dy lexime nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, mbi të cilin do të bëhen ndryshimet e nevojshme.

Ajo ka theksuar se pajtimi mes tyre është arritur për përmbajtjen e ligjit, ndërsa dallimet e deritanishme kanë qenë lidhur me procedurën parlamentare.

Çitaku pas takimit me Kurtin: U pajtuam për përmbajtjen e ligjit, dallimet ishin te procedura

“Me zotin Kurti jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet bërë. Dallimet kanë qenë tek procedura parlamentare. Si rezultat, sot u pajtuam edhe për rrugën që do të ndjekim: nismën e re ligjore menjëherë javën tjetër, me propozimet tona konkrete dhe me propozimet e ekspertëve”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka kërkuar falje për vonesat dhe paqartësitë gjatë këtij procesi, duke thënë se nisma do të dërgohet deri në fund dhe projektligji do të sillet në Kuvend për votim.

Çitaku jep zotimin për Specialen: Projektligjin do ta çojmë deri në fund dhe do ta sjellim për votim

“Sot, ju jap zotimin tim se këtë proces do ta çojmë deri në fund. Projektligjin do ta hartojmë dhe do ta sjellim në Kuvend për votim – më të plotë, më të qëndrueshëm juridikisht, më të zbatueshëm praktikisht. Ndërkohë, grupi punues shtetëror do të vazhdojë punën për hartimin e strategjisë së mbrojtjes në apel”, ka thënë ajo.

Çitaku ka theksuar gjithashtu rëndësinë e unitetit të partive politike shqiptare për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat