ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë

Aktuale

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 15:47
Millun Zogoviq

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Millun Zogoviq, ka thënë se Kosova është krahinë jugore e Serbisë.

Në televizionin “Aplus” të Malit të Zi, këtë koment Zogoviq e bëri duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë në Tivat javën që po e lëmë pas.

“Qëndrimin tim nuk e ka ndryshuar me hyrjen në qeveri – Kosova dhe Metohija është krahinë jugore e Serbisë”, tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi.

“Sa i përket detyrimeve ndërkombëtare të Malit të Zi, gjithçka do të respektohet, por unë kam mendimin tim se Kosova është pjesë e Serbisë e shkëputur qëllimisht. Këtë qëndrim e kam shprehur në Kuvend, disa ditë para se të hyja në qeveri. Asgjë nuk ka ndryshuar për mua”, është shprehur më tej Zogoviq.

Sipas tij, Serbia dhe Mali i Zi duhet të ndërtojnë raporte të qëndrueshme dhe afatgjata të bazuara në respektin reciprok.

Para pak kohësh, edhe Kuvendi i Malit të Zi iu referua institucioneve të Republikës së Kosovës si “institucione të përkohshme”.

Kjo ishte bërë në njoftimin zyrtar për media të publikuar në uebfaqen e Kuvendit të Malit të Zi për takimin mes kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq dhe ambasadorit të Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat