Bislimi pritet në takim nga kongresmeni amerikan, flasin për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit

Aktuale

Bislimi pritet në takim nga kongresmeni amerikan, flasin për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 17:10
Foto nga takimi

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim, Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u mirëprit nga kongresmeni amerikan, William Keating.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, fillimisht, zëvendëskryeministri e falënderoi kongresmenin për përkrahjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës.

Bislimi veçoi mbështetjen lidhur me projektin e MCC-së, Programi Kompakt 236.7 milionë dollarësh në bashkëpunim me SHBA-në.

“Në vijim, biseduan rreth progresit demokratik dhe rritjes ekonomike që ka njohur vendi në katër vitet e fundit, ku zëvendëskryeministri Bislimi theksoi indikatorët pozitivë makroekonomikë të vendit dhe perspektivën për rritje të qëndrueshme ekonomike”, vijon njoftimi.

Zëvendëskryeministri e informoi kongresmenin lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë dhe aktin terrorist dhe sulmin kinetik ndaj kanalit të ”Ibër Lepencit”, si sulmin e dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Gjithashtu, trajtuan dhe zhvillimet në lidhje me procesin e dialogut.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi kongresmenin Keating për bisedën dhe takimin, duke theksuar thellimin e bashkëpunimit, marrëdhënieve dhe partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat