Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se partia Lëvizja Vetëvendosje problemin kryesor e ka se “sot i pati 52 vota”. Derisa e quajti situatë të pa precedentë dështimin e konstituimit të seancës, Krasniqi potencoi se LVV-ja është larg krijimit të qeverisë me fuqinë politike aktuale që e ka.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Krasniqi në një adresim para mediave theksoi se kryeministri në detyrë Albin Kurti duhet të jap dorëheqje në qeveri dhe para qytetarëve.
Krasniqi: Ku janë 61 deputetë? Problemin kryesor LVV e ka se sot e panë që kanë vetëm 52 vota
“Ku janë 61 deputetë? Për mendimin tim problemin kryesor këta nuk e kanë pse dështoi kjo. Problemin kryesor se sot u pa që Albin Kurti dhe Vetëvendosja i kanë 52 vota. Kjo është fuqia e tyre politike aktuale…Ne kemi ardhur duke besuar që sot konstituohet kryetari dhe nënkryetarët, përveç që jepet betimi dhe që fillojmë të hyjmë në procesin kushtetues të krijimit të qeverisë, por po duket që këta me 52 vota janë larg një situate të tillë”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, letra për dorëheqje që po qarkullon në media, sipas Krasniqit nuk është dorëheqje dhe siç shprehet ai kryeministri Kurti kurrë nuk ka njoftuar në KQZ duke thënë se “kam dhënë dorëheqje”.
Krasniqi: Kurrë njoftim nuk ka në KQZ prej kryeministrit Kurti, të thotë ‘kam dhënë dorëheqje’
“Zotri Kurti të jap dorëheqje. Është shumë e thjeshtë. Është shumë e thjeshtë, ka për ta shkruar një letër dhe të thotë ‘jap dorëheqje prej pozitës së kryeministri bashkë me ministrat’. Që edhe ata duhet të japin dorëheqje dhe mund të vijnë të betohen më pas si deputet…S’është dorëheqja ajo, e keni në media lexojeni, apo iu duket dorëheqje ajo? Shkoni pyetni në KQZ, a ka me datën 27 që po i referohet një date, a ka njoftim. Kurrë njoftim nuk ka në KQZ prej kryeministrit Kurti, të thotë ‘kam dhënë dorëheqje’. Dorëheqja nuk jepet në KQZ, jepet në qeveri, para qytetarëve, para kuvendit”, potencoi Krasniqi.
Sipas tij, situata e krijuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje me mosdhënien e dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave është e paprecedentë.
Sipas Krasniqit, me këtë logjikë, në kuvend sot do të duhej të ishte edhe kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarët e komunave që janë zgjedhur deputetë.
Krasniqi: Situata që ka krijuar Lëvizja Vetëvendosje është e pa precedentë
“Është e paprecedentë sepse situata që ka krijuar Lëvizja Vetëvendosje është e pa precedentë, sepse këta vetë e kanë miratuar ligjin për qeverinë pa votat tona dhe në atë ligj e kanë shkuar vetë që nuk mundet kryeministri dhe ministrat dhe anëtarët e ekzekutivit të betohen si deputetet. Logjika e këtyre ta shkelin kushtetutën me çdo kusht është logjikë e cila s’duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Katër vite e kanë shkelur kushtetutën çdo javë dhe çdo muaj. Nuk do të lejojmë të fillojë kjo legjislaturë e re me shkelje kushtetuese. Me logjikën e Albin Kurtit këtu do të duhej me qenë edhe kryetarët e komunave, dhe Bedri Hamza në deputet. Por, ata e janë respektuar kushtetutën dhe ligjin dhe kanë dhënë dorëheqje para se të certifikohen rezultate”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, pas dështimit të miratimit të raportit nga Komisioni i përkohshëm, është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.