Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë thirrje që të mbahet brenda 48-orëve seanca e re për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Në një reagim të lëshuar për media KDI bën të ditur se çdo tejkalim i këtij afati do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të Rregullores së Punës të Kuvendit.
“Kryesuesi i seancës konstituive, si autoritet i përkohshëm deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ka obligim të qartë për të garantuar vazhdimësinë e punimeve dhe për të zbatuar pa devijime procedurat e përcaktuara. Rregullorja nuk lejon shtyrje të njëanshme, as nuk parasheh hapësirë për ndërhyrje ose kërkesa për interpretim nga akterë të tjerë institucionalë. Madje, rikujtojmë që, edhe në rast mungese apo refuzimi nga ana e deputetit më të vjetër në moshë për ta drejtuar seancën, Rregullorja parashikon zëvendësimin e tij me deputetët tjerë sipas të njëjtave kritere, për të siguruar që procesi nuk pengohet nga vullneti i një individi të vetëm”, thuhet në njoftim.
KDI pohon se se pjesëmarrja dhe angazhimi i deputetëve në vazhdimin e seancës është obligim formal e kushtetues, por edhe test politik për seriozitetin e legjislaturës së re.
“Përpjekjet potenciale për ta zvarritur procesin – përfshirë vonesat apo mungesat – janë të papranueshme dhe në kundërshtim me mandatin që qytetarët u kanë besuar përfaqësuesve të tyre, si dhe e shtyjnë Kuvendin drejt një krize të panevojshme funksionaliteti”.
“Funksionimi i Kuvendit është jetik për proceset që e presin Kosovën ndërsa pritjet e qytetarëve nuk janë vetëm që të garantohet normalitet i punës së Kuvendit, por që të ketë një dinamikë tërësisht tjetër sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative, mbikëqyrjes parlamentare dhe përfaqësimit të nevojave të qytetarëve”, thuhet në njoftim.