​Edhe një protestë kundër shtrenjtimit të rrymës

Aktuale

​Edhe një protestë kundër shtrenjtimit të rrymës

Më: 19 prill 2025 Në ora: 08:21
Foto ilustrim

Një tjetër protestë kundër shtrenjtimit të rrymës do të mbahet sot më 19 prill, njoftoi grupi “Asnjë cent më shumë”. Ky grup nuk përjashtoi mundësinë e “përshkallëzimit të aksioneve nëse autoritetet nuk reagojnë ndaj kërkesave të tyre kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike”.

Organizatori i protestës, Besnik Shabiu, derisa njoftoi të premten se protesta do të mbahet në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, bëri thirrje për pjesëmarrje masive.

Në të njëjtën orë me protestën, sot mbahet edhe vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Shabiu tha se t’i bëjnë thirrje deputetëve të zgjedhur të shtyjnë përpara procesin dhe për të siguruar që “sapo Kuvendi të konstituohet, të thirret menjëherë komisioni për energji dhe ZRRE-ja për të raportuar mbi çështjen e rritjes së çmimit të energjisë”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë të premten më 11 prill bëri të ditur se rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%.

Qytetarët e Kosovës nga muaji maj do të paguajnë 16 për qind më shtrenjtë për energjinë elektrike. Kështu kishte thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët. Kundër shtrenjtimit të rrymës janë mbajtur edhe protesta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat