Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka insistuar se partia e tij do të mbajë qëndrimin e saj të qartë lidhur me vazhdimin e seancës parlamentare dhe votimin për kryeparlamentarin.
Në një deklaratë për media, Haradinaj ka thënë se ata presin vendimin e partisë që ka marrë mandatin kushtetues për të udhëhequr seancën.
Ai ka theksuar se, nëse seanca do të vijojë ashtu si në herën e kaluar, vota e AAK-së do të jetë kundër.
Haradinaj: Ne kemi bërë publik emrat
"Po presim se çfarë vendimi do të marrin partia që ka marrë mandatin kushtetues, nëse vazhdojmë seancën si në herën e kaluar atëherë vota jonë do jetë kundër. Ne kemi bërë publik dy emrat të cilët do votojmë, nëse votojnë ata dy emra, vota jonë është për", ka thënë Haradinaj.
Në tentativën e tretë të seancës konstitutive, të shtunën u miratua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve dhe u bë betimi i deputetëve.
Në seancën e së shtunës, në pikën e tretë të rendit të ditës, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, deputeti Glauk Konjufca propozoi për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu.
Në dy procedura votimi, për kandidaturën e paraqitur votuan 57 deputetë, ndërsa kryesuesi Avni Dehari konstatoi se propozimi nuk kalon dhe në këto rrethana njoftoi për ndërprerjen e seancës së 19 prillit, duke paralajmëruar vazhdimin e saj për sot.
Vetëvendosje ka paralajmëruar se Albulena Haxhiu sërish do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit.
Të shtunën, pro zgjedhjes së Haxhiut si kryeparlamentare përveç VV-së, votoi edhe deputeti Nenad Rashiq, partia e së cilit ka siguruar një nga dhjetë ulëset që i takojnë komunitetit serb.