KFOR-i mbështet ekipet e Policisë për shpërthimin e mjetit të mbetur nga lufta e dytë botërore

Aktuale

KFOR-i mbështet ekipet e Policisë për shpërthimin e mjetit të mbetur nga lufta e dytë botërore

Më: 2 maj 2025 Në ora: 15:06
Foto nga vendi i ngjarjes

Personeli austriak i ekipit për Asgjësimin e Mjeteve të Pashpërthyera (EOD) të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, realizoi sot një shpërthim të kontrolluar dhe të suksesshëm të një bombe që daton që nga Lufta e Dytë Botërore, në Kaçanik.

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë Policia e Kosovës dhe FSK-ja si pjesë e trajnimeve të tyre.

KFOR-i nëpërmjet një komunikate kanë njoftuar se pajisja, me peshë 250 kg, u gjet më 26 prill nga banorët lokalë të zonës, pranë një lumi.

“Përgatitja dhe ekzekutimi i kësaj veprimtarie u kryen në përputhje me standardet ndërkombëtare, për të garantuar sigurinë e komunitetit lokal, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Major Enrico BARDUANI. Personeli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ndoqi gjithashtu këtë aktivitet, si pjesë e trajnimit të tyre, në përputhje me mandatin e tyre fillestar”,thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës rrethoi zonën. Ekipet EOD përbëhen nga personel shumë të specializuar.

Ata ishin të trajnuar dhe të pajisur mirë për të trajtuar në mënyrë të sigurt mjetet e pashpërthyera dhe janë gjithmonë të gatshëm për t’u përgjigjur ndaj kërkesave për ndihmë në këtë fushë.

“KFOR-i vazhdon të kontribuojë në një ambient të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë nga OKB – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), sipas roleve të tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”, thuhet më tej në komunikatë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat