Shihemi pas 48 orëve- Dështon për herë të 15-të konstituimi i Kuvendit

Aktuale

Shihemi pas 48 orëve- Dështon për herë të 15-të konstituimi i Kuvendit

Më: 13 maj 2025 Në ora: 07:06 Përditësuar në ora: 10:55 më 13.05.2025
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi dështon të konstituohet edhe në përpjekjen e 15-të

Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet as në përpjekjen e pesëmbëdhjetë. Tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit nuk mori përsëri mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 15 maj në orën 10:30.

Paraprakisht, në nisje të seancës, deputetët mbajtën 1 minutë heshtje në nderim të 44-të përvjetorit të rënies së dëshmorëve Tahir dhe Nebih Meha. Për këtë veprim sërish nuk u ngritën në këmbë deputetët nga radhët e Listës Serbe.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sërish ftoi partitë politike për të propozuar emrat e kandidatëve për Komisionin Ad-hoc për votim të fshehtë, por kësaj thirrje nuk iu përgjigjen pozitivisht partitë e tjera.

Pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit votuan 56 deputetë, dhe një votë kundër dhe asnjë abstenim.

Dehari: 56 deputetë votuan pro Komisionit për votim të fshehtë

“56 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka pas asnjë, po ashtu asnjë abstenim, atëherë shihemi më 15 në ora 10:00”, tha ai.

Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë tjetër kandidat, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm

Dështon përsëri

Nga: M.L.

Ka dështuar për të 15-ën herë konstituimi i legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Kosovës.

Sikurse edhe herët e kaluara subjektet politike PDK,LDK, AAK, Lista serbe nuk i propozuan anëtarët e komisionit për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Seanca e radhës do të mbahet të enjten me fillim nga ora 10:30.

Derisa palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, presidentja Vjosa Osmani ka ftuar për konsultime partitë politike për dalje nga kriza. Takimi do të mbahet të enjten.

Përveç subjekteve tjera, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen në takim.

Fillon seanca

Ftesa e Osmanit për takim, Vitia: Do të merrni përgjigje shumë shpejt

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, foli për ftesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për takim me partitë politike për tejkalimin e ngërçit politik.

“Tani do të flasim dhe besoj se do të merrni përgjigje shumë shpejt,” u shpreh shkurt Vitia para mediave.

Për këtë ftesë pak më herët foli edhe deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati.

“Duhet me pa se çka ka vendosur Grupi Parlamentar. Gjithsesi do të shqyrtohet ftesa. Do të shihet se për çka është dhe do të njoftojmë”, tha shkurt Murati para seancës së sotme.

Presidenca e Kosovës dje tha se ka dërguar ftesat te partitë për “takimet e para” dhe se janë në pritje të përgjigjes.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”.

​Peci: Presidentja Osmani është dashur të ftojë në takim edhe partinë Guxo

Partia Guxo nuk ka marrë ftesë për takim konsultativ nga presidentja Vjosa Osmani, tha deputeti dhe një nga drejtuesit e kësaj partie, Faton Peci.

Peci tha se partia e tij është dashur të marrë ftesë nga Osmani, pavarësisht se në zgjedhjet e 9 shkurtit ka garuar nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai shtoi se sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar do të vendoset nëse Lëvizja Vetëvendosje do të shkojë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani të enjten.

Peci: Guxo s’ka marrë ftesë për takim nga presidentja Osmani

“Nuk i di këto informacione. Tash po shkoj në takim të grupit dhe ndahen informacionet. Ne nuk kemi marrë ftesë por do të duhej të merrnin ftesë. Ne jemi subjekt politik i regjistruar në KQZ, pavarësisht se nuk kemi garuar të vetëm por bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.

Osmani në tentim të zgjidhjes së krizës politike në Kosovë ka ftuar të enjten në takim liderët e partive parlamentare.

​Murati: Do të shqyrtohet ftesa e presidentes Osmani për takim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se do ta shqyrtojnë ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim konsultativ.

Ai duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës në vazhdimin e seancës së pesëmbëdhjetë të konstituimin e legjislaturës së nëntë, tha se për ftesën do të vendosë Grupi Parlamentar i LVV-së, i cili përbëhet edhe nga partnerët Guxo dhe Alternativa.

Murati: Ftesa e presidentes do të shqyrtohet

“Duhet me pa se çka ka vendosur Grupi Parlamentar. Gjithsesi që shqyrtohet ftesa dhe shihet se çka është dhe besoj tani ju njoftojmë”, tha ai.

Presidentja Osmani ka ftuar liderët politikë për një takim të enjten, në tentim për të zgjidhur ngërçin në Kuvend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Deri tani takimin e kanë konfirmuar Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Takimi i ftuar nga Osmani, Haradinaj: Do të shohim çfarë qëndrime ka presidentja

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur para fillimit të seancës së Kuvendit, lidhur me ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim konsultativ që pritet të mbahet të enjten.

Haradinaj tha se do ta dëgjojnë se çfarë qëndrimesh ka presidentja rreth situatës së krijuar në Kuvend.

“Do ta ndëgjojmë presidenten me pa se çfarë qëndrimesh ka dhe çfarë sugjeron. Unë e kom konfirmu pjesëmarrjen”, tha ai.

Kreu i AAK-së tutje u shpreh se janë në pritje edhe të vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e zhvillimeve që kanë ndodhur në seancë.

Deputeti i LVV-së nuk tregon nëse do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Osmanit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes, Vjosa Osmani për takim konsultativ të enjten, në lidhje me krizën politike në Kosovë.

Zyba duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive për herë të pesëmbëdhjetë, tha se për të njëjtën do të vendosë lideri i LVV-së, Albin Kurti.

Zyba: Do të vendosë kryetari dhe kryesia e LVV-së

“Sot seancë kemi. Do të vendosë kryetari dhe kryesia. Do t’i përgjigjemi zyrtarisht”, tha ai.

Sot përpjekja e pesëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit

Kuvendi ka njoftuar se sot do të vazhdojë seanca konstituive në orën 10:00. Kështu, deputetët do ta bëjnë përpjekjen e pesëmbëdhjetë për konstituim të legjislativit.

Të dielën është zhvilluar seanca e 14-të me qëllim konstituimi, por as këtë herë nuk përfundoi me sukses.

Kryesuesi Avni Dehari përsëriti kërkesën për subjektet politike që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por serish nuk pati propozime. 

Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim. 

Kryesuesi i seancës konstituive konstatoi se për kanë votuar 54 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk ka asnjë.

Ndërkohë, neni 113 i Kushtetutës së Kosovës u jep të drejtë së paku dhjetë deputetëve që brenda 8 ditëve pas marrjes së një vendimi në Kuvend, qoftë ligj, akt tjetër juridik apo procedurë, ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kësaj gjykate i ka shkuar një kërkesë e tillë, ajo për votimin e fshehtë për kryeparlamentar duke qenë në procedurë të votimit.

E, presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, do të nisë më 15 maj një seri konsultimesh me përfaqësues të subjekteve politike në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, lidhur me zhbllokimin e situatës së moskonstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat