Hajdari: Thirrja e Presidentes në kohën e duhur

Aktuale

Hajdari: Thirrja e Presidentes në kohën e duhur

Më: 15 maj 2025 Në ora: 20:44
Fatime Hajdari

Sot në Presidencën e Kosovës është zhvilluar një takim i rëndësishëm mes presidentes Vjosa Osmani dhe krerëve të subjekteve politike parlamentare.

Në deklarimin e saj pas takimit me katër liderët e partive politike, Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn, presidentja Osmani theksoi se ky është vetëm hapi i parë në një seri konsultimesh që do të vazhdojnë edhe në formatet e tjera, përfshirë takime individuale me liderë politikë, nëse kjo shihet e nevojshme.

E për këto zhvillime ka folur në RTK, analistja Fatime Hajdari, e cila tha se grupet politike janë të polarizuara dhe situata e krijuar tregon se zgjidhja nuk është e thjeshtë.

Sipas analistes Hajdari, thirrja e Presidentes ka ardhur në kohën e duhur dhe përgjigjja pozitive e partive politike për të marrë pjesë në takim është një hap i parë i rëndësishëm.

“Ulja në një tryezë të përbashkët krijon pritshmëri se diçka mund të lëvizë përpara. Edhe pse, siç u pa, asnjëri nga blloqet nuk ka ndryshuar qëndrim, vetë fakti që janë ulur në një tryezë na bën të shpresojmë se në të ardhmen mund të ketë lëvizje nga pozicionet e tyre”, tha Hajdari në "Info Plus".

Sipas saj, koha shtesë që ka dhënë Presidentja do të shërbejë për të kërkuar modalitete që mund të çojnë në zgjidhjen e problemit, ndonëse ajo shtoi se nuk ka pritshmëri të larta.

“Është për t’u vlerësuar gjuha e Presidentes dhe fakti që ajo gjithmonë thekson rëndësinë e depolarizimit të situatës. Ajo përmendi se nuk ka pasur tensione në takim, dhe kjo është shumë e rëndësishme – që në takime të tilla të mos ketë tensione, por respekt të ndërsjellë, gjë që Presidentja tha se ishte prezent nga të gjitha palët. Edhe pse vullneti për të gjetur një gjuhë të përbashkët ishte minimal, ai ekzistonte”, u shpreh Hajdari.

Ajo shtoi se tashmë është e qartë se grupet politike nuk do të lëvizin nga qëndrimet e tyre, por theksoi se përgjegjësia bie mbi subjektin fitues të zgjedhjeve.

“Shpresoj që brenda kësaj kohe, subjekti që ka marrë numrin më të madh të votave të arrijë të gjejë një partner tjetër, qoftë edhe më të vogël, dhe ta finalizojë marrëveshjen për të formuar një qeveri”, përfundoi Hajdari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat