Profesori Binak Maxharraj ka thënë se opozita ka krijuar një ngërç politik që po pengon formimin e institucioneve të shtetit.
Po ashtu, ai ka shkruar në Facebook se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të veprojë menjëherë dhe të shpallë zgjedhje të reja, pasi ky kaos nuk mund të vazhdojë.
Postimi i plotë:
6 herë u tubuan “xhelatët e masakrimit të votës” për të bërë lojën idioteske me votën e popullit.
Kjo që po ndodh në Parlamentin e Kosovës, nuk ndodh as në lamën e thive. Presidentja duhet rreptësisht të ndërmarrë masa për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. Rrugë tjetër nuk ka. Nuk lejohet që këta masakrues deputetë të luajnë me votën e popullit.
Kjo situatë e krijuar nga opozita në Parlamentin e Kosovës është e padurueshme, madje edhe e turpshme. Situata ka arritur në një ngërç politik, ku nyja politike mes partive është lidhur fort dhe qëllimisht nga opozita, me të vetmin qëllim: rrëzimin e Lëvizjes Vetëvendosje me Albin Kurtin në krye.
Madje, për një mundësi të tillë, opozita po vepron edhe në bashkëpunim me Listën Serbe të fashistit Aleksandër Vuçiq, i cili po kënaqet me këtë maskaradë të deputetëve të Kosovës në Parlament.
Por opozita ende nuk po e kupton – apo nuk po do të kuptojë – se forca e LVV-së dhe e Albin Kurtit ka rrënjët në vetë votën e lirë të popullit. Që do të thotë se opozita po luan me votën e popullit, duke e lënë vendin, edhe pas tre muajsh, pa institucione – një situatë për të cilën ka nisur të tallet edhe bota me ne.
A mos po vërtetohet ajo thënie e moçme e serbëve se “shqiptarët nuk janë të zotët të bëjnë shtet”, kur hapur dilet kundër vullnetit të popullit dhe pengohet formimi i institucioneve të shtetit?
Mjerimi i opozitës s’paska as sy as faqe, siç thotë populli… me turpin që po ia shkakton shtetit të Kosovës.
Nuk ka gjë më të keqe për tokë e qiell sesa deputetët manjakë, maskarenj të kësaj legjislature, që luajnë me votën e popullit e të votuesve, duke ia mohuar popullit dhe shtetit formimin e institucioneve. Ky tentim dështoi edhe për herë të 16-të!
Situata në Parlamentin e Kosovës i ngjan më shumë një lame thive sesa një institucioni përfaqësues. A nuk është ky një turp par excellence për këtë parlament, i cili, për shkak të tekeve dhe inateve të krerëve maskarenj të partive politike, gjen kohë – edhe në këto kohë të vështira – të “bashkëpunojë” me Listën Serbe, me qëllimin e vetëm për të penguar krijimin e institucioneve të Kosovës?
Kjo sjellje maskaruese e deputetëve të Kosovës bie ndesh me çdo etikë parlamentare. Është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me votën e popullit, e cila kërkon formimin e institucioneve dhe jo lojëra politike mbi kurrizin e qytetarëve.
16 herë u mblodhën këta “deputetë xhelatë të masakrimit të votës” dhe nuk arritën të krijojnë institucionet e vendit – sepse janë shndërruar në vegla të liderëve të tyre maskarenj, për të cilët lufta për pushtet është mbi çdo interes shtetëror.
Presidente, një situatë e tillë nuk duhet të lejohet edhe më tej. Jo për asnjë ditë, por as për disa orë. Qiti sytë n’kodër, siç thotë populli, dhe mblidhë fuqinë për të shpëtuar vendin nga maskarenjët idiotesk partiak, duke e caktuar datën e zgjedhjeve të reja, sepse kjo situatë nuk duhet të tolerohet më tej.
Presidente, je e vetmja shpëtimtare e zgjidhjes së këtij gërqi politik. Të takon të veprosh rreptë dhe shpejt që ta shpëtosh vendin nga maskarenjët e votës së popullit.