Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
As në seancën e 17 me radhë nuk pati korum të mjaftueshëm për të formuar Komisionin Zgjedhor, ku do të mundësohet votimi në mënyrë të fshehtë për kandidaten për kryeparlamentare, transmeton Telegrafi.
Seanca u ndërpre, për të vazhduar pas 48 orësh.
Dehari fton përfaqësuesit e subjekteve politike për konsultim
Kryesuesi i seancës konstituive të Kosovës, Avni Dehari, ftoi përfaqësuesit e partive politike parlamentare për një konsultë të shkurtër.
“E shoh të arsyeshme të ftoj përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultim shumë të shkurtër”, tha Dehari në nisje të seancës, duke mos treguar se për çka ishte fjala.
Kraki: Albin Kurti po mundohet të konstituoj Kuvendin, këtë javë do të lëvizë diçka
Deputeti i Listës Guxo, Nezir Kraki, në një deklaratë para seancës së sotme të Kuvendit.
Ai ka theksuar se kryeministri Albin Kurti po tenton të konstituoj funksionimin e Kuvendit, por shtoi se këtë javë do të ndodhin ndryshime.
“Albin Kurti po mundohet, në të gjitha mënyrat, të konstituoj Kuvendin, por këtë javë do të lëvizë diçka”, ka deklaruar Kraki.
Krasniqi u takua me Kurtin para seancës konstituive, folën për takimin me presidenten
Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se sot Grupi Multietnik u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për të diskutuar rreth takimit që patën me presidenten Vjosa Osmani më 15 maj.
Tutje, ai shtoi se edhe sot do të vazhdojë tentimit për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë.
“Pritëm në Grupin Multietnik kryeministrin Kurti, biseduam për takimet që i ka pasë Grupi Multientik me presidenten por edhe kryeministri me partitë e tjera, kaq ishte.
Tani po vazhdojmë ku kemi mbetur, me votu për komisionin për votim të fshehtë”, tha ai.
Balje: Po presim vendimin për votim të fshehtë
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka deklaruar se situata aktuale politike është e bllokuar dhe po i shkakton dëm vendit, ndërsa ka bërë të ditur se partitë politike janë në pritje të një vendimi nga Gjykata lidhur me votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
“Ne kemi qenë te presidentja në një takim konstruktiv. Kanë munguar vetëm dy parti të komuniteteve, dhe presidentja ka lënë edhe një kohë të shkurtër për të gjetur një marrëveshje. Pastaj, do ta dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese,” tha Balje.
Ajo theksoi se nuk është në interes të askujt që situata të mbetet e bllokuar, por realiteti është se aktualisht nuk ka vota për të dalë nga kriza.
“Nuk është mirë për asnjë anë. Por në fakt, nuk ka votë për të dalë nga kjo krizë dhe jemi vetëm duke pritur,” shtoi ajo.
Balje vlerësoi se ngërçi politik po i kushton vendit dhe theksoi nevojën për kompromis.
“Ky ngërç po i kushton vendit. Mendoj se njëra anë duhet të lëshojë pe, sepse kështu jemi të bllokuar,” deklaroi ajo.
Deputetja bëri të ditur se janë duke pritur vendimin lidhur me mundësinë e votimit të fshehtë, që mund të vijë të hënën. Ajo shprehu shpresën se ky vendim mund të hapë rrugë për një hap të mëtejshëm në tejkalimin e situatës.
Deputeti Berisha: Do të votoj kundër Haxhiut
Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha pak para seancës së 17-të konstituive, tha se nuk do të ndryshojë qëndrim, nëse s’ka ndryshim në situatën e krijuar në Kuvend.
Ai thotë se do të vazhdojë të votojë kundër Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit.
“Nëse s’ka ndonjë ndryshim, nuk do të ndryshojë as unë, pra do të vazhdoj të votoj kundër një propozimi i cili vjen për t’u votuar fshehur”.
“Një kryetar Kuvendi duhet të jetë kryetar i të gjithëve dhe të ketë mbështetje publike”, thotë tutje ai.
Por, Berisha deklaroi se është i gatshëm për zgjidhje, megjithëse potencoi se nuk ka marrëveshje politike për qeverisje.
Gashi (LDK): LVV e ka detyrë kushtetuese të gjejë konsensus që kandidati i tyre të kalojë
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se është detyrë kushtetuese e Lëvizjes Vetëvendosje që të sigurojë konsensus brenda Kuvendit në mënyrë që të kalojë kandidati i tyre për kryetar të Kuvendit.
“Konstituimi i Kuvendit është detyrë kushtetuese. Detyrat kushtetuese lindin bashkë me të drejtat kushtetuese. E drejta kushtetuese i ka lindur LVV-së të propozojë kryetarin e Kuvendit sipas rezultatit të zgjedhjeve, prandaj lind edhe detyra kushtetuese që të garantojë një shumicë për votimin e kandidatit ose kandidates për kryetar të kuvendit. Në këtë rast, LVV e ka për detyrë kushtetuese të gjejë edhe konsensusin brenda Kuvendit në mënyrë të kandidati të kalojë”, u shpreh ai.
Sa i përket propozimit të LDK-së për qeveri tranzicionale, Gashi tha se ky është qëndrim zyrtar i partisë të cilës i takon ai.
“Është qëndrim zyrtar i LDK-së si zgjidhje opsionale për kalimin e krizës, një qeveri me një mandat dhe afat të caktuar për të krijuar një situatë më të relaksuar politike deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha deputeti Gashi.
Musliu “lut” Haxhiun të heqë dorë nga kandidatura për kryekuvendare
Deputetja e betuar e PDK-së, Ganimete Musliu pak para seancës së 17-të konstituive, u prononcua për media.
Sipas gazetares Gremisa Latifi, Musliu deklaroi se qëndrimet e PDK-së për të votuar Albulena Haxhiun nuk kanë ndryshuar.
Po ashtu, sipas gazetares, Musliu “luti” Haxhiun që të heqë dorë së kandiduari për kryetare të Kuvendit.
Vitia: Nuk e ndryshojmë kandidatin për kryeparlamentar
Arben Vitia, deputeti i LVV-së, ka thënë se nuk pret se do të ndryshojë kandidati për kryeparlamentar.
“Jo, në asnjë mënyrë. Po presim përgjigje edhe gjykata kushtetuese, nuk pritet të ndryshojë as forma e votimit”, tha Vitia.
Ai tha se konstitutimi i Kuvendit “natyrisht se është urgjent”.
Sot, tentativa e 17-të për konstituim të Kuvendit
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për herë të 17-të me shpresën që do të arrihet konstituimi i tij.
Nga ora 10:30 nis seanca vazhduese, derisa nuk është dhënë ndonjë sinjal nëse Lëvizja Vetëvendosje do të ndryshojë emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, emër ky që nuk po kalon.
Ish-opozita ka treguar qartë qëndrimin e tyre se Haxhiun nuk e votojnë për krykuvendare, megjithëse bien dakord të konstituojnë Kuvendin nëse emri ndryshohet.
Krerët e partive politike, gjatë ditës së enjte, pas seancës së 16-të konstitutive, mbajtën takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani.
Megjithëse, pas takimi ata nuk u shprehën fort optimist që do të ndryshojë rrjedha e seancave pasuese.