Malaj: Një Shqipëri e fortë është dobi për Kosovën

Aktuale

Malaj: Një Shqipëri e fortë është dobi për Kosovën

Më: 20 maj 2025 Në ora: 17:01
Foto nga vendi i ngjarjes

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e udhëhequr nga drejtori ekzekutiv, Avni Kastrati, ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj, i shoqëruar nga Këshilltari për Bashkëpunimin Ekonomik, Kastriot Noli.

Sipas ASK-së, takimi u përqendrua në bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve, veçanërisht në fushën e statistikave të turizmit.

Drejtori Kastrati falënderoi Ambasadorin Malaj për vizitën dhe theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe INSTAT-it të Shqipërisë.

Ai përmendi gjithashtu marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar disa vite më parë, e cila ka lehtësuar shkëmbimin e përvojave dhe metodologjive të avancuara në fusha të ndryshme.

Kastrati theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në sektorët e statistikave të integrimeve të Shqipërisë në BE, duke vlerësuar se ASK ka mësuar shumë nga INSTAT-i, përfshirë në fushat e TI dhe GIS.

Në këtë takim, ambasadori Malaj shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e ngushtë dhe theksoi se një Shqipëri e fortë është në dobi të Kosovës, dhe anasjelltas, një Kosovë që përparon është një aset i madh për Shqipërinë.

Ai theksoi se shkëmbimi i përvojave dhe harmonizimi i fushave të statistikave mes dy shteteve është thelbësor për të mbuluar zbrazëtirat dhe për të siguruar përparim të përbashkët.

Në të ardhmen, të dyja palët janë të angazhuara të harmonizojnë dokumentacionin dhe nomenklaturën për të pasur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në sektorët e statistikave, dhe për të nxitur një përpjekje të përbashkët që do të kontribuoni në zhvillimin e mëtejshëm të të dyja shteteve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat